Skepticizëm për progres në dialog mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2024
Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po shihet si vështirë i mundshëm edhe gjatë vitit 2024.
Në ekzekutiv akuzojnë Serbinë për qasje dekonstruktive në dialog dhe që është e interesuar vetëm për konflikt dhe aneksim të territorit të Kosovës, siç është dëshmuar me sulmin terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë.
Në anën tjetër, partitë opozitare janë të shqetësuara, siç thonë, për pranimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të sjellë nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress, se Serbia nuk ka vullnet që të ketë një zgjidhje për normalizim të marrëdhënieve.
“Serbia nuk ka interes, nuk tregon vullnet që të ketë një zgjidhje mes raporteve tona si Republikë e Kosovës dhe Serbisë…”, thotë ai.
Skeptik për progres në dialog është deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, megjithëse thotë se kryeministri Kurti i ka bërë dëm Kosovës me pranimin në parim të draft-statutit të Asociacionit.
Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se deri në muajin maj të vitit 2024, pret që të ketë lëvizje sa i përket zbatimit të marrëveshjes bazë. Ai sugjeron kryeministrin Kurti që të lëvizë pozitivisht sa i përket obligimeve që i ka marrë në proces të dialogut.
Kosova dhe Serbia në shkurt të vitit 2023, kanë arritur marrëveshjen bazë në Bruksel, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të kësaj ujdie në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por pa i vendosur nënshkrimet për shkak të refuzimit të presidentit serb, Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq gjatë vitit 2023 janë takuar edhe dy herë të tjera, fillimisht në muajin maj por edhe në shtator, por pa gjetur pajtueshmëri për sekuencimin e planti të zbatimit të marrëveshjes bazë.
Në anën tjetër, shtatë ditë pas takimit të fundit të tyre, një grupi paraushtarak i udhëhequr nga ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, kreu sulm terrorist ndaj Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Pas kësaj, diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor, paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm ta nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi në takimin me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të BE-së.
Së fundmi Kurti është shprehur i gatshëm të hartojë një draft të Asociacionit, pas deklarimit të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.