“Skifterat” e Gjilanit shënojnë 20-vjetorin e themelimit
Me një ceremoni të veçantë, grupi i tifozëve i SC Gjilani, “Skifterat” kanë shënuar 20-vjetorin e themelimit.
Në këtë aktivitet, në emër të Lutfi Hazirit ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, drejtuesit e SC Gjilani, legjendat e klubit dhe mysafirë të shumtë.
“Uroj që edhe 200 vjet ta trashëgoni këtë kulturë e atmosferë për klubin, i cili po na bënë krenar të gjithë neve si qytet. Urime 20-vjetori ‘Skiftera’, president Florim Zuka, legjenda të klubit e kryesi e SC Gjilani. Zoti ju bekoftë”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i SC Gjilani, Sevdail Robelli, ka thënë se po e festojnë 20-vjetorin e sakrificës pasi “Skifterat” asnjëherë nuk i lanë vetëm, në asnjë rrethanë.
“Në emër të presidentit dhe kryesisë së klubit, ju premtoj që Gjilani këtë vit do ta festojë titullin e kampionit së bashku me ‘Skifterat’, të cilët janë akademi e tifozerisë. Këtë kulturë do ta transmetojmë edhe në garat evropiane”, ka thënë Robelli.
Atmosferën e ka elektrizuar në fund rock grupi Jericho teksa e kënduan këngën kushtuar “Skifterave”.
/Epoka e re/