Skuadrat e hendbollit mësojnë kundërshtarët në Evropë
Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa FamGas ishte me fat në shortin për garat ndërkombëtare. Skuadra pejane do të takohen me B.S.B. Batumi nga Gjeorgjia, në ndeshjen e parë të kualifikimeve të EHF Cup në hendboll (meshkujt). Gjasat janë të mëdha që skuadra e drejtuar nga Arben Muqolli të kualifikohet tutje.
Ndërsa për skuadrën nënkampione, Prishtinën shorti ka qenë i pamëshirshëm. Kundërshtar i Prishtinës në Challenge Cup (Kupa e Sfiduesve) në hendboll (meshkujt) është skuadra ukrainase ZNTU-ZAB nga Zaporozhye.
Skuadra tjetër e Kosovës që merr pjesë në garat evropiane, Kastrioti nga Ferizajt do të ndeshet me një ekip të panjohura, siç është Tallinn nga Estonia.
Kampioni i Kosovës në konkurrencën e femrave, Shqiponja është treguar e pafat në shortin e garave evropiane. Skuadra gjakovare do të ballafaqohet me kampionen e Zvicrës, Spono Eagles, në rrethin e parë të kualifikimeve. Një kundërshtare e njohur, pasi që në edicionin 2016-17 e kishte shkatërruar Prishtinën me rezultat 30:16 në sfidën e parë dhe në të dytën me 41:14.
/Epoka e re/