Skuadrat mysafire presin fitoret e radhës
Plot katër ndeshje të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt) luhen sot (e shtunë).
Në tri prej ndeshjeve skuadrat mysafire llogariten favorite. Kampionia aktuale, Besa Famgas, e hap javën e tretë me ndeshjen që e luan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit.
Kjo ndeshje fillon në orën 14:30, kurse klubi pejan nuk pritet të ketë vështirësi të mëdha për të shënuar fitore të re. Dy ndeshje të tjera zhvillohen nga ora 18:00. Në Gjilan takohen Drita e Kastrioti i Ferizajt, kurse në Prizren luajnë Prizreni dhe Prishtina. Rivalitet më i madh pritet në takimin Drenica – Llapi që luhet po të shtunën nga ora 19:00. Ndeshja më interesante e javës pritet të jetë ajo që luhet të dielën nga ora 17:00 në Mitrovicë.
Takohen Trepça e Vushtrria, që gjithnjë tregojnë hendboll të mirë dhe rivalitet sportiv në ndeshjet mes tyre. Edhe në Ligën e Parë të hendbollistëve zhvillohet java e tretë. Të shtunën është ndeshja Rahoveci – Samadrexha (19:00), kurse të dielën janë takimet Lepenci – Vjosa (12:00) dhe Deçani – Zhegra (13:30).
Dukagjini dhe KEK-u do të përballen të mërkurën.
/Epoka e re/