SkyNews: Kurti i nervozuar, i pakënaqur me qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë
Si të indinjuar dhe të frustruar pas situatës në veri të Kosovës, e përshkruan “Sky News”, kryeministrin Albin Kurti. Mediumi britanik ka dalë me një artikull nga veriu, atje ku më 24 shtator ndodhi një sulm terrorist, që la të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku, tashmë hero.
Sipas këtij mediumi, nuk mund të mohohet që tensionet janë ende të larta, dhe se “fantazma” e një lufte të re në Evropë, qëndron e madhe.
“Ajo që është e pamohueshme është se tensionet mbeten jashtëzakonisht të larta dhe fantazma e një lufte tjetër në Evropë duket e madhe, duke rënë këmbanat e alarmit në Bruksel dhe përtej Atlantikut në Uashington.” – thuhet fillimisht.
Kurti, i frustruar
Për këtë artikull, është intervistuar edhe kryeministri Albin Kurti, të cilin mediumi e përshkruan “të indinjuar dhe të frustruar”.
Shefi i Qeverisë së Kosovës madje, siç raportohet, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ketë një qëndrim më të ashpër me Serbinë.
“Po e mohojnë sepse janë duke luajtur me librin e Putinit në Donbas. Burrat e vegjël me të gjelbërt në pjesën veriore të Kosovës. Jo edhe aq të vegjël, port ë gjelbërt sigurisht, që dëshironin të fillonin një luftë dhe ta ndajnë Kosovën.” – ka deklaruar ai.
Tutje, mediumi përshkruan ndarjen e dy komuniteteve nga një lum. “Duken si dy kombe që jetojnë në një çati…”.
Por sipas “Sky News”, të dy janë bashkë në shqetësimin se ku mund të çojë krejt kjo situatë.