Sllovakia e Lajçakut mbyll më 31 dhjetor Zyrën e saj Ndërlidhëse në Kosovë
Sllovakia, një nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, ka vendosur ta mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Kosovë një çerek shekulli pas hapjes së saj. Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar mbylljen e Zyrës Sllovake. Qeveria e Sllovakisë do ta mbyllë Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, në një hap që largon përpjekjet për njohje të shtetit të Kosovës.
Mbyllja e Zyrës Ndërlidhëse i është konfirmuar Radio Kosovës nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropiane e Republikës së Sllovakisë.
“Sipas vendimit të Qeverisë Sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024, për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit buxhetor”, thuhet në një përgjigjen e Departamenti të Komunikimit të MPJ-së sllovake.
Vendimi për mbylljen e Zyrës në Prishtinë, është marrë muajin e kaluar pasi kabineti i majtë-nacionalist i kryeministrit, Robert Fico, po shtyn përpara një agjendë që riformon institucionet dhe politikën e jashtme sllovake.
Ministria e Jashtme e Kosovës nuk e ka komentuar mbylljen e zyrës në Prishtinë dhe as ndikimin që mund të ketë ky vendimin në raportet me mes dy vendeve.
Gëzim Visoka, profesor në Departamentin e Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, në Irlandë, thotë se mbyllja e zyrës nuk është shenjë e mirë për aspiratat Euro-Atlantike të Kosovës.
“Mbyllja e Zyrës Sllovake në Prishtinë nuk do të duhej të paraqiste një lajm shqetësues”, ka thënë Visoka, Radio Kosovës .”Por fakti që Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën dhe ka një politikë të jashtme të përafërt me Serbinë rreth Kosovës, rajonit, dhe luftës në Ukrainë, mbyllja e zyrës është ë sinjal jo i mirë”.
Visoka ka thënë se mbyllja e zyrës në këtë kohë, mund të lexohet si mosgatishmëri për ta njohur Kosovën. “ Kjo të paktën tregon mosgatishmëri që të ndërtojë marrëdhënie pragmatike diplomatike, siç ka bërë Greqia në dekadën e fundit”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, në një takim të premten me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në Beograd deklaroi se qëndrimi i Sllovakisë për mosnjohje të Kosovës mbetet i pandryshueshëm ngase pavarësia Kosovës shkelë integritetin territorial i Serbisë.
Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, zyrat ndërlidhëse, reflektojnë marrëdhëniet diplomatike të shteteve, ngase sinjalizojnë pabarazi në raportet bilaterale, janë tipare të praktikave para-diplomatike dhe zakonisht vendosen ne rajone e jo kryeqytete dhe janë dy shkallë nën nivelin e ambasadës dhe misioneve të posaçme diplomatike.
Në vitin 1999 kur Kosova u vendos nën administrim të OKB-së, shumë shtete, përfshirë edhe ato që ishin kundër si Rusia, vendosën në Prishtinë zyrat e tyre ndërlidhëse, dhe pas pavarësisë shumica e atyre që njohën Kosovën u shndërruan në ambasada apo misione diplomatike.