Sllovenia do të dyfishojë praninë në misionin paqeruajtës në Kosovë
Kryeministri slloven, Robert Golob, ka thënë se Sllovenia do ta dyfishojë praninë e saj në misionin e NATO-s në Kosovë vitin e ardhshëm.
Këto komente Golob i ka bërë në fund të Samitit të NATO-s në Uashington.
Sllovenia ka shpjeguar se prania e aleancës në Ballkanin Perëndimor po rritet me iniciativën e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili e njeh mirë rajonin, raporton Agjencia sllovene e lajmeve.
Në përfundim të samitit, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar me presidentin Biden, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ka pasur mundësi të diskutojë edhe me liderë të tjerë nga disa shtete të botës, thekson njoftimi i Presidencës.
Presidentja Osmani me ftesë të Bidenit ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të samitit të NATO-s në Washington D.C.
Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të Samitit të NATO-s, presidentja Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës.