Sllovenia, meritore që Kosova mori kryesimin e SEECP-së 2019-2020
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të qëndrimit në Slloveni, ka zhvilluar takim bilateral me kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar.
Haradinaj ka vlerësuar se mbështetja e Sllovenisë për Kosovën, në zhvillim ekonomik, e veçanërisht në anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë është e një rëndësie të madhe.
“Sllovenia dhe Kosova gëzojnë miqësi tradicionale dhe ndajnë vizionin e përbashkët për stabilitet dhe për vlera evropiane. Mbështetja e Sllovenisë për Kosovën, në zhvillim ekonomik, e veçanërisht në anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë është e një rëndësie të madhe”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka theksuar se Sllovenia ka qenë dhe vazhdon të jetë partner shumë i rëndësishëm i Kosovës, përmes përkrahjes së gjithanshme në të kaluarën dhe se ky partneritet ekonomik dhe politik duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Sllovenia ka luajtur një rol të veçantë që Kosova të marrë kryesimin e SEECP-së për vitin 2019-2020. Jemi mirënjohës për përkrahjen tuaj në nismat rajonale dhe në rrugën tonë euroatlantike. Shtetet tona dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin brenda Bashkimit Evropian”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë takim ai ka treguar edhe për të arriturat e vendit në përmirësimin e ambientit ekonomik, në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe punën e Qeverisë së Kosovës drejt përafrimit të vendit me familjen evropiane.
Ndërkohë kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar, ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
“Kosova luan një rol të rëndësishëm në stabilitet dhe paqe në rajon dhe mbështetja e Sllovenisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në rrugën evropiane të Kosovës dhe në përfundimin e bisedimeve me Serbinë”, ka deklaruar Cerar, duke shprehur mbështetjen edhe në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
/Epoka e re/