Sllovenia ofron përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sigurisë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ambasadoren e re të Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejqiq, të cilës i ka uruar mirëseardhje në ketë detyrë, duke e siguruar për bashkëpunim të plotë nga pozitat respektive.
“Me këtë rast, ambasadores Benedejqiq i shpreha mirënjohjen për kontributin e Sllovenisë, si vend anëtar i NATO-s me trupat ushtarake në kuadër të KFOR-it, si dhe për angazhimin e oficerëve slloven në kuadër të NALT-it. Gjithashtu e njoftova edhe me të arriturat e përgjithshme dhe zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe qëllimet e mia strategjike për të ardhmen”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ministri Mehaj ka theksuar se ambasadorja Benedejqiq ka shprehur gatishmërinë e saj për mbështetje në procesin e anëtarësimit në iniciativat dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë dhe ofrimin e përvojës së tyre për proceset integruese në NATO dhe BE.
“Në fund të dy u pajtuam që bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve, përveç fushave tjera të thellohet edhe më tej në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka treguar Mehaj.