Sllovenia premton përkrahje për Lipjanin në fushën e zhvillimit ekonomik
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, me të cilin ka bashkëbiseduar për mundësitë e bashkëpunimit të komunës së Lipjanit dhe Ambasadës së Sllovenisë në fushën e zhvillimit ekonomik.
Në takim ambasadori Slloven ka premtuar angazhim në promovimin e ambientit të të bërit biznes në komunën e Lipjanit dhe tërheqjen së investitorëve të huaj.
“Gjatë këtij takimi gjithashtu u diskutua për mundësitë e përfitimit të granteve nga Bashkësia Evropiane përmes mbështetjes së qeverisë së Sllovenisë në fushën e menaxhimit të ujërave të zeza përmes ndërtimit të impianteve”, ka thënë Ahmeti.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua rreth projekteve dhe mundësive të përkrahjes financiare të projekteve të mençura (SMART).
Ndër projektet e diskutuara nga kjo lëmi janë menaxhimi i mençur i parkingjeve, ndriçimi publik dhe menaxhimi i trafikut.