Sloganet e partive politike dhe kuptimi i tyre
Shumica e subjekteve politike dhe koalicioneve parazgjedhore tashmë kanë përzgjedhur sloganet elektorale me anë të të cilave pretendojnë t’i joshin qytetarët e Republikës së Kosovës për t’i votuar në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) synon ta marrë besimin e qytetarëve në këto zgjedhje me sloganin “Ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin”.
Zyrtari i kësaj partie, Blerand Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky slogan është përzgjedhur meqë PDK-ja është parti shtetformuese dhe shtetndërtuese.
Ai ka theksuar se të gjitha fazat e këtij rrugëtimi, projektet, veprat, idetë dhe iniciativat e kanë siglën e PDK-së.
“PDK-ja është parti shtetformuese dhe shtetndërtuese. Të gjitha fazat e këtij rrugëtimi, të gjitha projektet, të gjitha veprat, të gjitha idetë dhe iniciativat e kanë siglën e PDK-së. Po ashtu, PDK-ja dallon nga subjektet e tjera politike që pranon dobësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë dhe shteti ynë. Ajo është e gatshme që këtë mision të ballafaqimit dhe zgjidhjes së këtyre problemeve, mbi të gjitha të luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, ta shndërrojë në shanse të barabarta për të gjithë, në mbajtjen e rinisë këtu dhe në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare. Kjo është rruga e së ardhmes, të cilën PDK-ja, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen e qytetarëve, do ta ndërtojë për ta dhe për shtetin. Ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin”, ka deklaruar Stavileci.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LV), e drejtuar nga kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka zgjedhur sloganin “Erdhi dita”.
Anëtari i kryesisë i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Arbër Zaimi, ka treguar për gazetën “Epoka e re” se slogani “Erdhi dita” është përzgjedhur pas një procesi të gjatë diskutimesh, në të cilin janë përfshirë një numër njerëzish nga bota e letërsisë, artit, filozofisë, politikës, si dhe profesionistë të fushës së komunikimit publik dhe marketingut.
“Midis tyre ka pasur edhe disa poetë prej më të mirëve të letërsisë shqipe. Prej qindra propozimeve, u përzgjodh ‘Erdhi dita’, si slogan që komunikon shkurt e qartë mesazhin tonë. Është dita e re pas natës së vjetër. Thonë se pikërisht para se të agojë nata bëhet edhe më e errët. Është ndryshimi dhe kthimi kah e mbara, kah transparenca e dritës, duke iu larguar dallavereve të natës. Kosovës i duhet një politikë e re, e pastër prej krimeve e korrupsionit, e cila respekton qytetarët, demokracinë dhe ligjin. Dita është koha e punës dhe e shkollës, e nata e të tjerëve, siç thuhet, ‘s’ka ispat’”, është shprehur Zaimi, duke shtuar se slogani ‘Erdhi dita’ nënkupton ardhjen e qeverisë Kurti.
“Pra, erdhi dita për zhvillimin ekonomik, për drejtësinë, për arsimin, për të drejtat e grave, për barazinë shoqërore, për mjedisin, për kulturën, për shëndetësinë, për bujqësinë, për biznesin, për punën. Sondazhet dhe aktivitetet në terren na japin sinjalin se shumica tash e ka marrë vendimin, andaj mund të thuhet se erdhi dita për qeverinë Kurti”, ka theksuar Zaimi.
Kurse koalicioni parazgjedhor AAK – PSD ka vendosur që në zgjedhjet e 6 tetorit të garojë me sloganin “100 % shtet”.
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka thënë se ky nuk është vetëm slogan zgjedhor, por është koncept qeverisës dhe kombëtar që e përfaqëson kryeministri Ramush Haradinaj.
Sipas tij, “100 % Kosovë” është koncept për Kosovën e sigurt, të mbrojtur, të barabartë e prosperuese. “ ‘100 % Kosovë’ nuk është vetëm slogan zgjedhor, por është koncept qeverisës dhe kombëtar që e përfaqëson kryeministri Ramush Haradinaj. Konsolidimi i plotë i shtetit të Kosovës, përbrenda dhe jashtë, është detyrë e elitës politike dhe qytetarëve të Kosovës. ‘100 % Kosovë’ është koncept për Kosovën e sigurt, të mbrojtur, të barabartë e prosperuese”, ka thënë Ramadani për gazetën “Epoka e re”. Ndërsa slogani i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për këto zgjedhje është “Me Vjosën kryeministre”. Ndërsa koalicioni parazgjedhor Nisma – AKR e ka sloganin “Bashkë për shtetin”.