Slogani për zgjedhjet në veri: “Vota juaj. Ardhmëria juaj”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja Valdete Daka.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori disa vendime në kuadër të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
KQZ-ja miratoi sloganin për zgjedhjet që do të mbahen në këto katër komuna: “Vota juaj. Ardhmëria juaj”.
Po në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për çregjistrimin e katër partive politike dhe kas shfuqizuar pezullimin për tri parti tjera politike.
Sipas vendimit të KQZ-së partitë e çregjistruara janë: Partia e Ballit (PB); Partia e Fortë (PF); Aktivna GradanskaInicijativa (AGI); dhe Savez Nezavisnih Socijaldemokrata (SNSD). Këto parti politike nuk kanë dorëzuar të dhënat e ndryshimeve vjetore as pas afatit shtesë.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për të shfuqizuar pezullimin e tri partive politike: Partia Demokratike e Unitetit (PDU); Crnogorska Liberalna Stranka (CLS) dhe Nova Partija Kosova (NPK). Sipas vendimit të KQZ-së, këto parti politike kanë dorëzuar përditësimin e të dhënave vjetore në afatin shtesë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan do të mbahen më 19 maj.
Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.
/Epoka e re/