![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/11/slot.jpg)
Slot para sfidës me Tottenhamin: Duam ta fitojmë ndeshjen
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, është i bindur se Tottenham-in e pret një sfidë e vështirë sonte në ‘Anfield’.
Liverpooli do të përballet me Tottenham-in në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Carabao Cup, derisa sfida e parë ishte mbyllur me rezultat 1-0 në favor të ‘Spurs’.
“Nuk mendoj se duhet t’i përgatis ndryshe lojtarët nga çdo ndeshje tjetër. Sepse nga tani e deri në fund të sezonit – siç ka qenë gjatë gjithë sezonit, dhe siç ka qenë që kur ekziston Liverpooli – nëse luan me këtë fanellë, duhet ta fitosh ndeshjen”, ka thënë Slot.
“Kjo vlen për sot, për të dielën, për të mërkurën dhe për çdo ndeshje tjetër. Edhe nëse jemi në disavantazh 1-0, qoftë në ligë apo në çdo turne tjetër, ne përpiqemi dhe duam të fitojmë. Kështu vepruam edhe në ndeshjen e parë ndaj Tottenhamit. Ishim shumë afër për të marrë një rezultat atje deri në sekondat e fundit, por kur ishim me 10 lojtarë dhe pësuam gol”.
“Asgjë nuk ndryshon për këtë ndeshje krahasuar me të tjerat. Nëse vesh këtë fanellë, nëse del në fushë në ‘Anfield’, ka vetëm një gjë që pritet nga ty dhe ajo është fitorja”, theksoi Slot.
Ndeshja Liverpool-Tottenham fillon në orën 21:00.