‘Slow Food Dukagjini’ përfaqësoi Kosovën në ‘Terra Madre Balkans’ (Foto)

25 maj 2018 | 16:17

“Slow Food Dukagjini” ka përfaqësuar Kosovën në edicionin e pestë në “Terra Madre Balkans”.

Ky edicion i cili ka bashkuar komunitetet gastronomike nga Evropa Juglindore është mbajtur  nga 21 deri më 23 maj në kryeqytetin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Pas katër edicionesh në Sofje (2010, 2012), Dubrovnik (2014) dhe Tiranë (2016), rrjeti i “Terra Madre Balkans” ka vendosur të sjellë zërin e vet në zemrën e debatit evropian në një vit që është vendimtar për të ardhmen e Politikës së re Bujqësore të Përbashkët.

“Slow Food Dukagjini” ka përfaqësuar Kosovën në mesin e mbi 100 delegatëve nga nëntë vendet Ballkanike (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë, Rumania, dhe Serbia), duke prezantuar potencialin e larmishëm të “Terra Madre Balkans”, rrjet ky që ka lëshuar rrënjë të thella në rajon me mijëra mbështetës, 24 “Presidiume Slow Food”, mbi 100 komunitete gastronomike, 50 shefa kuzhine dhe 15 programe edukative për të ushqyerit dhe shijen.

Stendat e shteteve kanë qenë të vendosura afër kantinës së Parlamentit Evropian (PE), ku ka pasur vizitorë të shumtë që kanë degustuar dhe kanë shprehur interesim për produktet e Kosovës.

Në stendën e Kosovës janë prezantuar produktet: djathi “Rugova” dhe “Drelaj” , boronica të thara dhe aguliqja (primula veris) nga Agroprodukti sh.p.k., “mjalta e bjeshkës nga bletaria “Aldi Prilep”, verërat “Stone Castle: Rahovec, dhe fara te kungullit nga “Troi”.

Kosova ishte prezentë edhe në mbrëmjen e organizuar në restorantin “Les Filles” në Bruksel me produkte autoktone kosovare.

Stendën e Kosovës përveç shumë vizitorëve nga Parlamenti Evropian e kanë vizituar edhe stafi diplomatik i Ambasadës së Kosovës në Bruksel, ku ambasadori Bernard Nika ishte prezent në konferencën e mbajtur në Parlamentin Evropian.

“Terra Madre Balkans” është mbajtur në kuadër të Presidencës bullgare të Këshillit të BE-së, e cila i kushton një vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmes së tij në BE. Prandaj, me fokus të kësaj ngjarje kanë qenë konferencat me temën: “Potenciali i Ballkanit Perëndimor për zhvillim rural të qëndrueshëm si motor për integrimin në BE” dhe “E ardhmja e trashëgimisë gastronomike të Ballkanit”.


Edicioni i pestë i “Terra Madre Balkans” është organizuar nga “Slow Food Balkans”, së bashku me anëtarë të Parlamentit Evropian nga Bullgaria, Kroacia dhe Rumania.

“Slow Food Dukagjini” ka falënderuar për përkrahje Komunën e Pejës, Mehdi Mulajn, Virtyt Morinën, “ERA grup”, Ellen Frank-Lajqin, Luljeta Lipën dhe Era Hyseni anëtarë të Slow Food Dukagjini, si dhe Nexhdet Shalën, profesor në Fakultetin e Agroturizmit “Haxhi Zeka” në Pejë.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahri, ka…