Smajl Latifi: Adem Demaçi një jetë të tërë e vuri në shërbim të atdheut

26 korrik 2022 | 13:00

Në katërvjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Adem Demaçi, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se Demaçi një jetë të tërë e vuri në shërbim të atdheut.

Ai ka theksuar se Adem Demaçi jeton në shpirtin e secilit liridashës dhe në kujtesën e shqiptarëve.

“Një jetë të tërë e vuri në shërbim të atdheut, të cilit i qëndroi besnik dhe mbeti shembull i papërsëritshëm në Evropë e më gjerë. Adem Demaçi jeton në shpirtin e secilit liridashës dhe në kujtesën e shqiptarëve për mënyrën se si luftoi, qëndroi dhe përballoi me kurajon e një burri të rrallë, për 28 vjet nëpër burgjet serbo-jugosllave, pa u thyer e penduar asnjëherë, përkundër vuajtjeve dhe mundimeve që i përjetoi. Në historinë tonë, baca Adem mbetet luftëtar frymëzues, një pishtar i pashuar që ndriçon rrugën e lirisë, jo vetëm për bashkëkombësit e tij, por dhe për popujt që vuajnë e duan të çlirohen nga zgjedha e robërisë. Brez pas brezi do të jetojë kujtimi i veprës atdhetare të këtij biri të madh të popullit shqiptar. Baca Adem, trupin tënd e ruan toka jonë e përgjakur, kurse vepra jote është përmendore e skalitur në mendjet dhe zemrat tona. Baca Adem, nderime dhe lavdi përjetësisht!”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se…