Smajl Latifi jep betimin për mandatin e ri qeverisës në Rahovec
Sot, Kuvendi Komunal i Rahovecit, ka mbajtur mbledhjen inauguruese për mandatin katërvjeçar.
Ashtu edhe siç është përcaktuar me ligj, mbledhja është udhëhequr nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Rasim Fazliu, i cili pasi i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, ka uruar kuvendarët e zgjedhur, duke theksuar rëndësinë që ka për secilin zgjedhja në organin më të lartë të nivelit lokal.
Pas fjalës përshëndetëse seanca ka vazhduar me betimin e anëtarëve të Kuvendit si dhe me nënshkrimin e deklaratës së betimit të cilin e kanë bërë 31 anëtarët e zgjedhur të Kuvendit.
Para anëtarëve të Kuvendit, familjarëve të dëshmorëve, organizatave të dala nga UÇK-ja, përfaqësuesve fetarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, betimin për katër vitet e ardhshme e ka bërë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
“Është nder i madh dhe njëkohësisht përgjegjësi e madhe të dal sot para jush në këtë ceremoni solemne për të thënë disa fjalë, që nuk janë fjalë vetëm ceremoniale. Në fillim duhet të falënderoj të gjithë ata qytetarë që me vullnetin e tyre të lirë i kontribuan procesit demokratik zgjedhor, si dhe subjektet pjesëmarrëse në garën politike për korrektësinë e treguar në këtë proces. Në raste të tilla është e udhës që të zotohem edhe solemnisht se, do të jem i përkushtuar maksimalisht t’ju shërbejë me nder, përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie. Sistemi ynë politik ofron mundësi dhe hapësira për bashkëpunim institucional dhe përmbushja e këtij obligimi ofron përparësi të mëdha për qytetarët. Kultivimi i raporteve korrekte kolegiale, respektimi i mendimit ndryshe dhe përqafimi i propozimeve të dobishme, përbëjnë bazën e një demokracie funksionale. Bashkëpunimi i ekzekutivit komunal me Kuvendin e Komunës është ndër detyrat tona dhe nënkupton respekt për vetë qytetarët. Përbërja diverse e Kuvendit është pasuria jonë e përbashkët dhe propozimet, idetë e pikëpamjet e kuvendarëve do të ndikojnë në ruajtjen e balancit qeverisës. Bashkërisht mund të arrijmë suksese të dukshme dhe ne të gjithë jemi të interesuar që përpjekjet e angazhimet tona të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qyetarëve tanë”, ka thënë ndër të tjera në fjalën e tij kryetari Latifi.
Këta janë emrat e anëtarëve të rinjë të Kuvendit Komunal të Rahovecit për mandatin katërvjeçar:
Fatmir Iska-AAK, Ali Morina-AAK, Saranda Sallteku-AAK, Feriz Thaqi-AAK, Samir Mustafa-AAK, Rumir Zhuniqi-AAK, Afrim Dina-AAK, Valmir Gashi-AAK, Besmire Bytyqi-AAK, Bjondina Kleqka-AAK dhe Shukrije Himaj-AAK. Leonard Morina-LVV, Ilir Pallqa-LVV, Merisa Sharku-LVV, Defrim Kafexhiu-LVV, Shqipe Kryeziu-LVV, Vlora Vuçiterna-LVV dhe Sinan Kryeziu-LVV. Burim Krasniqi-LDK, Eqrem Spahiu-LDK, Masar Popaj-LDK, Faton Ramadani-LDK, Edona Kryeziu-LDK dhe Fahrie Lushi-LDK. Bejtullah Deliu-PDK, Melinda Iska- PDK, Sejfullah Sejfullahu- PDK, Rasim Fazliu- PDK, Armir Vuçiterna- PDK dhe Ellma Hamza- PDK.