Smajljaj: Ministri i MPB-së ka për mandat bërjen e politikave, jo komandimin e policisë
Profesori universitar, Avdi Smajljaj, ka kritikuar reagimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, i cili ka mbrojtur reagimin e Policisë së Kosovës që një ditë më parë ka arrestuar në mënyrë të dhunshme invalidin e UÇK-së, Faik Fazliu.
Në profilin e tij në “Facebook”, Smajljaj ka shkruar se ministri nuk ka të drejtë të komandoj ekzekutimin e veprimeve policore, as në substancë e as në shpejtësi.
Sipas tij, ministria ka për mandat bërjen e politikave, jo komandimin e policisë.
Postimi i plotë i Avdi Smajljaj:
Askush mbi ligjin përfshin edhe ndërhyrjen joligjore të ministrit të MPB-së në veprimet operacionale të policisë duke u dhënë instruksione se si duhet të veprojnë ata, me çfarë shpejtësie në cilat raste duhet të kryhen operacionet.
Ministri nuk ka të drejtë të komandoj ekzekutimin e veprimeve policore, as në substancë as në shpejtësi.
Ministria ka për mandat bërjen e politikave, jo komandimin e policisë.
Gjithashtu, policia ka obligimet e veta në operacionet e tyre, ndër të tjera për të respektuar të drejtat, dinjitetin dhe integritetin e çdo qytetari.