Smakiqi: KPK-ja assesi nuk duhet ta anulojë konkursin për Kryeprokuror të Shtetit
Avokati Xhevdet Smakiqi ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës assesi nuk duhet ta anulojë konkursin për Kryeprokuror të Shtetit.
“Nëse KPK anulon konkursin pastaj përsëritë konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, shembet shtylla e pushtetit të ndarë të drejtësisë nga ekzekutivi. KPK dhe secili organ si Kuvendi si Qeveria duhet ta kuptojnë se Presidenca e Kosovës si organ shtetëror nuk bënë pjesë dhe nuk është hallkë e sistemit të drejtësisë, por është degë e ekzekutivit. Prandaj mbetet detyrim kushtetues dhe ligjor i KPK-së që mos të shembë shtyllën e ndarjes së pushtetit gjyqësor nga ekzekutivi”, ka shkruar në “Facebook” Smakiqi.
Ai ka shtuar se KPK-ja duhet ta ruajë pavarësinë kushtetuese dhe ligjore, të zbatojë ligjin e KPK-së, kurse për refuzim – mosdekretim të kandidatit Blerim Isufaj t’i drejtohet vet Gjykatës Kushtetuese.
“Prandaj presidentja Osmani ka shkaktuar krizë institucionale kushtetuese dhe se ka keqpërdorur kompetencën e saj formale për dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka shkruar Smakiqi.