S’mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar, mungojnë deputetët e pozitës

30 maj 2024 | 14:17

Ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar që ishte planifikuar të mbahej sot (e enjte) për shkak të mungesës së deputetëve të pozitës.

Ishte planifikuar të diskutohet lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe rreth angazhimit të ekspertëve.

Kryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj, ka thënë se ishte paraparë të diskutohet si vazhdimësi e mbledhjes së kaluar ti sjellin CV-të e ekspertëve dhe të flasin për ta.

“Unë shtyva mbledhjen për sot. Fillimisht ka qenë në ora 11:00 për shkak të deklarimeve të dy deputeteve Fitore Pacolli dhe Jeta Statovci se në atë kohë kanë angazhime në Kuvend, kam shtyrë prapë mbledhjen për në ora 13:00, por po e shihni që prapë s’kanë ardhur. Po edhe një informatë shtesë, afati që ia kemi rekomanduar Ministrisë së Punëve të Jashtme për kompletimin e dokumentacionit të na sjellin në Kuvendin e Kosovës ka skaduar”.

“Brenda kësaj javë tri herë është shty. Janë ‘email’-at, janë komunikimet që i kemi bërë, në mënyrë që me i përshtatë t’i kemi prezent këtu, por po shihet që s’ka interesim. Ne do të vazhdojmë me thirr prapë sepse nuk kam dashur që faji të më mbetet mua. Po i ftoj ashtu siç e kam obligim ligjor do t’i thërras. Në qoftë se ata dëshirojnë ta sabotojnë është përgjegjësi e LV-së. Kjo është tendencë që mos të zbardhet e vërteta se çfarë po ndodh në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, ka thënë Kadrijaj, shkruan “Ekonomia Online”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komisionin parlamentar për Shëndetësi pati diskutime mes pozitës dhe…