S’merren parasysh ankesat e avokatëve të liderëve të UÇK-së për mangësitë e pretenduara në aktakuzë
Paneli i Gjykatës së Apelit në Gjykatën Speciale ka hedhur poshtë tri apelet e dorëzuara nga mbrojtja e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në lidhje me mangësitë e pretenduara në aktakuzë.
Ky njoftim është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale.
“Më 22 gusht 2022, Paneli i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë tri apele, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, kundër vendimit të mëparshëm të gjykatësit të procedurës paraprake, në të cilin u hodhën poshtë disa nga mocionet e mëparshme të mbrojtjes dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) u urdhërua të dorëzojë versionin e korrigjuar të aktakuzës së konfirmuar”, është thënë në njoftim, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria është duke pretenduar se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Kadri Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor të vitit 2020.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
Të gjitha këto akuza janë kundërshtuar nga liderët e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Përpos tyre në paraburgim janë duke u mbajtur edhe Sali Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala.