S’mund të flitet për paqe mes Kosovës e Serbisë pa zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të tjerëve
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh deputet, Enver Hoxhaj, ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hoti.
“U bënë 21 vjet që nuk dihet për fatin Ukshin Hotit. Jo rastësisht, kjo figurë kombëtare, intelektuale e politike e Kosovës ndodhet në mesin e të pagjeturve. Pushtuesi serb, ashtu siç deshi të zhdukte tërë qenien e shqiptarit, ashtu deshi të zhdukte edhe një nga zërat më të shquar për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, ishte profesor Ukshin Hoti, ai që ndër intelektualët e parë përkrahu protestat dhe kërkesat e studentëve të vitit 1981, për çka edhe vuajti në burgjet e atëhershme.
“Në burgosjen e tij të fundit, pushteti serb u kujdes që të zhduk çdo gjurmë të tij, në mënyrë që të shuante një zë kredibil e të fuqishëm për çështjen shqiptare jo vetëm brenda, por edhe në arenën ndërkombëtare”.
“Ukshin Hoti dhe mijëra të tjerë të pagjetur na thërrasin në ndërgjegjen tonë dhe pa zbardhjen e fatit të tyre nuk mund të flitet për paqe të qëndrueshme dhe pajtim midis Kosovës e Serbisë”, ka shkruar Hoxhaj.
(M.Q / Epoka e re)