Socialdemokratët zviceranë mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KE dhe EFTA

06 maj 2022 | 14:08

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar të premten një delegacion të Partisë Socialdemokrate (SP) nga Zvicra, që përbëhej nga deputetët nacionalë, Fabian Molina dhe Mustafa Atici, deputeti komunal, Reis Luzhnica, anëtari i Kryesisë së SP-së, Arbër Bullakaj, sindikalistët Osman Osmani dhe Florim Kadriu, sekretarja e grupit të SP-së për çështje të emigracionit, Lara Can, si dhe Urim Deva, delegat i këtij grupi.

Me këtë rast, kryetari Konjufca ka vlerësuar lart marrëdhëniet dypalëshe dhe falënderoi shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, që nga koha e paraluftës dhe në vazhdimësi.

Ai ka shprehur gatishmërinë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në rrafshin politik dhe ekonomik, duke theksuar se Republika e Kosovës e konsideron Zvicrën vend mik dhe partner të rëndësishëm në proceset e shtetndërtimit, zhvillimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Kryetari Konjufca ka përmendur Grupin e Miqësisë në kuadër të Kuvendit, rolin e mërgatës dhe kontributin e socialdemokratëve zviceran në forcimin e raporteve mes shteteve tona.

Ndërsa socialdemokratët dhe deputetët zviceranë, pjesëmarrës në takim, kanë ofruar mbështetjen e shtetit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në EFTA dhe në Këshillin e Evropës.

Në takim janë shkëmbyer pikëpamje edhe rreth agresionit rus në Ukrainë dhe është çmuar rreshtimi i Kosovës përkrah demokracive evropiane e botërore në dënimin dhe sanksionimin e Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pothuajse 25 milionë ton drithëra janë bllokuar në Ukrainë  për…