Sociologu ia lë fajin edhe djepit se pse të rinjtë kosovarë bëhen agresivë
Sociologu Ragip Fetahu e ka ndërlidhur praninë e theksuar të agresivitetit tek të rinjtë kosovarë edhe me rritjen e tyre në djep.
“Familja është agjensi i parë i socializimit ku [fëmija] i merr bazat e para të edukatës. Shkalla e dytë në të cilën kalon një i ri ose adoleshent është shkolla. Pra janë dy faktorët kyçë, dy faktorët kryesorë të cilët ndikojnë në ndërtimin e një individi, në ndërtimin e një personaliteti, karakter, i cili duhet të jetë i përgatitur për jetë në të ardhmen”, ka thënë Fetahu.
“Problemi për fat të keq qëndron te ne në përgjithësi si shoqëri, te familja, te edukimi familjar, sepse fatkeqësisht si shoqëri tradicionale kemi disa veti jo të mira”.
“Ta zëmë unë si sociolog në shumicën e rasteve e vërej që shkalla e agresivitetit vjen që nga fëmijëria për shkak që fëmijët që në moshën e hershme lidhjen në djep. Ata bëhen çdo herë e më agresivë, më impulsivë, derisa i zë gjumi dhe ftohen”, ka thënë Fetahu për Klan Kosovën.
“Në momentin që ata ftohen, zgjohen në mëngjes të ftohur. Për këtë arsye ne jemi edhe një shoqëri agresive, e shfaqim agresivitetin në moment, mirëpo edhe ftohemi në një periudhë të shkurtër”.