Sogojeva: Nuk ka pasur largime masive të punëtorëve pas heqjes së vizave
Pavarësisht prej paralajmërimeve të shumta që ishin bërë nga disa ekspertë të ekonomisë, të cilët kishin parashikuar një largim masiv të punëtorëve nga Kosova pas heqjes së vizave, një fenomen i tillë nuk ka ndodhur.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, në një intervistë për “Telegrafi”-n, tha se një vit pas heqjes së vizave nuk ka pasur migrim të madh të punëtorëve. “Vetë fakti që popullata është më e lirë, do të thotë shumica absolute vendosin më lirshëm se ku të orientohen edhe ku gjejnë kushte më të mira, është normale që ata të shkojnë. Kjo e ka mundësuar, për shembull, që madje edhe nga koha sezonale që punojnë, të veprojnë edhe jashtë Kosovës por, siç po shihet, nuk është ajo pritshmëria e vlugut të madh të largimit”, është shprehur ai.
Sogojeva tha se nga largimet që kanë ndodhur, ka pasur shqetësime në sektorin e hotelerisë dhe turizmit se a mund të gjenden kamerierë dhe kuzhinierë të mirë.
“Normalisht çdoherë gjendet alternativa por, megjithatë, ka shqetësime, sepse ka pasur për shembull kuzhinierët e mirë dhe kamerierët, por në momentin kur dikush largohet prej aty nuk është lehtë të bëhet zëvendësimi, do të thotë edhe nëse e zëvendëson, nuk mundesh ta zëvendësosh me atë që ka qenë i mirë. Kështu që është vërejtur shqetësimi po, megjithatë, janë gjetur edhe nuk kemi asnjë ankesë”, tha ai. Sipas Sogojevës, liberalizimi i vizave ka ndikuar të përmirësohen kushtet për ata që punojnë në sektorin privat. “Megjithatë është përmirësuar dukshëm, do të thotë paga e këtyre punëtorëve, të cilët merren me këtë veprimtari dhe, siç po shihet, do të thotë dita ditës ka filluar të bjerë në binarë dhe nuk kemi as migrime, ose lëvizje të mëdha të punëtorëve, siç është parashikuar”, sqaroi ai.
Më tutje, në intervistë ai deklaroi se në të ardhmen janë disa gjëra që mund të ndikojnë nëse të rinjtë mund ta gjejnë veten në Kosovë ose jo. “Ndoshta në të ardhmen do të shohim se a mund të ketë, do të thotë varësisht prej shkallës së zhvillimit ekonomik, varësisht prej situatës në përgjithësi ekonomike të shtetit, varësisht prej politikëbërjes, do të thotë hartimet politike, çfarë e bën shteti, edhe këto e bëjnë të vetën që nesër pasnesër të rinjtë, ndoshta kur nuk e gjejnë veten në Kosovë, mund të mendojnë për t’u larguar”, u shpreh Sogojeva.