Sokol Dobruna dhe Halil Çadraku shkojnë në Hagë, do të dëshmojnë në gjykimin e krerëve të UÇK-së

15 nëntor 2024 | 11:03

Në kohën kur gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së është intensifikuar dukshëm, dëshmitarët po vazhdojnë dëshmitë e tyre para trupit gjykues.

Drejt Hagës së fundmi kanë udhëtuar edhe Sokol Dobruna dhe Halil Çadraku. Të dy do të jenë dëshmitar në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i tyre Arianit Koci, i cili gjithashtu ka udhëtuar drejt Hagës.

Udhëtimin drejt Hagës e ka bërë të ditur edhe vet Çadraku nëpërmjet një postimi në rrjete sociale.

Sokol Dobruna kishte qenë kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së. Rasti më i njohur për të cilin Dobruna ka folur shpesh, lidhet me një vendim që e kishte marrë për pushkatimin e Blerim Kuçit, ish-kryetarit të Suharekës.

“Unë dua të tregoj se në Gjykatën Ushtarake kemi patur Kodin penal të luftës, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e ekzekutimeve penale. Unë personalisht e kam dënuar njeriun me pushkatim, Blerim Kuçin ish-kryetarin e Suharekës. Mirëpo i njëjti ligj që e ka dënua, ligji i ekzekutimeve penale i cili është në arkiv e ka liruar,unë jo por ligji”, kishte deklaruar Dobruna në Klan Kosova vite më parë.

Ndërsa, Halil Çadraku është përmendur disa here në Hagë, si përgjegjës për sektorin e Zbulim-Kundërzbulimit në zonën e Pashtrikut.

Në mesin e dëshmitarëve të fundit, kanë qenë kryesisht ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë dëshmuar për strukturën dhe organizimin.

Edhe 43 dëshmitarë të Prokurorisë së Hagës kanë mbetur për të dëshmuar në rastin e krerëve të UÇK-së.

Lajmin e bëri të ditur ditë më parë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle. Kjo duke theksuar se Prokuroria ka larguar edhe 12 dëshmitarë të tjerë nga lista për të dëshmuar në sallë.

“Prokuroria njoftoi Trupi Gjykues se nuk synon më të thërrasë 12 dëshmitarë nga lista e mëparshme dhe synon të paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim, në vend të dëshmisë gojore në sallë të gjyqit”.

“Në të njëjtin parashtrim Prokuroria theksoise pas këtyre ndryshimeve, numri i dëshmitarëve që japin dëshmi në sallë të gjyqit në kuadër të paraqitjes së provave prej Prokurorisë është ulur në 43”, deklaroi Doyle.

Më tutje, është bërë e ditur se numri i dëshmitarëve ka mundësi të zvogëlohet edhe më tutje.

“Prokuroria tha gjithashtu se pret, që deri në pushimin e gjykatës në dhjetor, të jetë në gjendje të njoftojë Trupin Gjykues lidhur me ndryshime shtesë për listën e dëshmitarëve”, tha ai.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se rasti kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, për sa i përket Prokurorisë, mund të përfundojë në prill të vitit 2025.

“Kjo është politikë e fortë që është kryer në një sërë konferencash me palët. Numri fillestar i dëshmitarëve ishte 152, e pastaj Prokuroria tha se mund të shtojë të tjerë me numër të përgjithshëm 350. Kjo është një prej të dhënave që është marrë për efikasitetin në këtë rast. Shumë hapa janë ndërmarrë, mendimi i gjyqtarëve është se ndoshta prokurori mund të përfundojë rastin në fillim të prillit, ndoshta edhe më herët”, tha Trendafilova në një konferencë për media.

Megjithatë, mbrojtja e Hashim Thaçit ditë më parë, pati ankesa për largimin e disa dëshmitarëve të cilët sipas tyre, kanë rëndësi jetike për gjykimin dhe zbardhjen e së vërtetës.

Pas përfundimit të rastit të Prokurorisë, do të jetë radha e avokatëve të krerëve të UÇK-së që të paraqesin dëshmitarët e tyre.

Ligjërisht, pas paraqitjes së rastit nga Prokuroria, avokatët kanë të drejtë ta kërkojnë hudhjen e aktakuzës.

Avokatët e krerëve të UÇK-së ditën e djeshme kanë bërë të ditur se synojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, megjithatë afati është i shkurtër.

“Do të kërkojmë të paktën 1 muaj kohë për ta bërë kërkesën tonë”, tha avokati i Jakup Krasniqit.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, bëri të ditur se do t’i duhen gjashtë javës për t’u përgatitur për ta paraqitur rastin e mbrojtjes. Ai theksoi se nuk planifikon të thërrasë më shumë se 10 dëshmitarë. /Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Historia e Wanda Narës dhe Mauro Icardit vijon që të…