Sokol Dobruna jep detaje për burgjet e UÇK’së
Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, ka folur për burgjet që ka pasur UÇK’ja gjatë luftës.
Gjatë një paraqitjeje të drejtpërdrejtë nga shtëpia e tij, në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, Dobruna ka kujtuar se kanë qenë tri burgje të UÇK’së.
Sipas tij, UÇK’ja ka pasur burgje “në Kleçkë, në Kravasari, dhe në Lladrovc – ky ka qenë burg provizor, për t’i ndaluar kryesit e ndonjë vepre”.
Dobruna – tani 79-vjeçar, i ftuar për t’iu paraqitur Gjykatës Speciale që do të gjykojë gjoja krimet e luftës të kryera në Kosovë – ka folur edhe për numrin e personave që janë mbajtur në këto burgje të UÇK’së.
“Në Lladrovc e kam gjykuar një, i cili ia ka marrë njërit Mercedesin”, ka kujtuar ai. Dobruna ka treguar t’i jetë thënë se personi të cilit i është marrë Mercedesi ka qenë gjoja spiun, i cili është lëshuar.
Dobruna ka thënë se personi që ia ka marrë tjetrit Mercedesin, sipas tij, ka qenë “plaçkaxhi, që s’e ka bërë këtë për patriotizëm”.
“E kam lënë në burg… tre muaj”, ka treguar ish-kreu i Gjykatës Ushtarake të UÇK’së.
“Në Kravasari kanë qenë 7 persona… Një serb ka qenë aty… Të gjithë janë liruar në mungesë të fakteve”, ka bërë të ditur ai.
“Në Kleçkë, ka qenë burg më i organizuar. E ka pasur në mbikëqyrje Policia, por edhe Gjykata. E kam vizituar disa herë. Kaq di”, është shprehur Dobruna.
“Ka qenë kohë e shkurtër. Krejt katër muaj”, ka thënë Dobruna.