Sokol Mjacaj vrau dy turistët çekë në Shkodër dhe 13-vjeçarin | Sot, vrasjen e kreu brenda burgut

15 dhjetor 2023 | 22:57

Mikael Svatos 27 vjeç dhe Ana Kosinova, 36-vjeçe kishin ardhur për turizëm në Shqipëri, pa e ditur që ky do të ishte udhëtimi i tyre i fundit. Ishte data 3 korrik e vitit 2015. Dy të rinjtë nga Çekia po ktheheshin nga Dukagjini për në Shkodër me makinë, kur para u doli Sokol Mjacaj, në atë kohë 20 vjeç. Ai kishte me vete kallashnikov e nën kërcënimin e armës iu fut në makinë për t’i grabitur.

U kërkoi që t’i jepnin paratë, por dy të huajt nuk e kuptuan. Të tmerruar nga grabitësi i armatosur, ata tentuan në çdo mënyrë të shpëtonin. Siç do të rrëfente vetë vrasësi Mjacaj, Mikaeli frenonte fort makinën në mënyrë që ta përplaste dhe kur Mjacaj u kërkoi që të ndalonin në një zonë me pyll, 27-vjeçari tentoi t’i merrte armën. Vajza qante dhe bërtiste gjatë gjithë rrugës. Fatkeqësisht, njësoj si në një film horror, asnjë prej tentativave të dy turistëve nuk patën sukses.

“Po, unë i vrava. Doja t’i grabisja, por më kundërshtuan. Hipa në Lotaj. Kur pashë që po bëheshin gati për të lëvizur makinën, i ndoqa dhe u drejtova armën. Hapa derën e pasme dhe u thashë të ecnin… Më acaroi se u kthye disa herë të merrte armën. Në fillim nuk doja t’i vrisja, doja vetëm t’i grabisja, të merrja dhe makinën dhe të ikja. Por djali frenonte fort, donte të më përplaste. Pastaj deshi të më merrte armën”, rrëfeu ai në atë kohë.

“Ajo qante, ai donte të më merrte armën”, si Sokol

Sokol Mjacaj, Korrik 2015 (Momenti i arrestimit pas vrasjes së turistëve)

I acaruar nga rezistenca e tyre, Mjacaj i ekzekutoi të dy me armë zjarri. Ende i bindur në qëllimin e tij për t’i grabitur, pasi i vrau donte t’i merrte makinën. Por edhe ky plan i dështoi pasi fuoristrada u rrëzua. Mjacaj u largua nga skena e krimit vetëm me një prej telefonave të viktimave, atë që i kishte pëlqyer. Ky telefon, të cilin ai e shiti tek një bashkëfshatar, bëri që policia të binte në gjurmët e Mjacajt. 48 orë me vonë u arrestua në një shtëpi në fshatin Grudë e Re.

Në momentin e arrestimit, nuk tregoi asnjë shenjë pendese. E vetmja keqardhje që pati ishte që nuk arriti të realizonte planin për të marrë makinën. Me gjasë në tentativë për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm, pendesë për ngjarjen do të shfaqte disa muaj më pas.

Në nëntor të 2015-s, në sallë të gjyqit ai u shfaq i përlotur. U kërkoi falje familjeve të viktimave dhe kërkoi mëshirë nga trupa gjykuese. Tha se nuk kishte dashur t’i vriste, por vetëm t’i grabiste.

“Ajo qante, ai donte të më merrte armën”, si Sokol

Sokol Mjacaj, Nëntor 2015

Lotët e tij nuk e bindën trupën gjykuese. Disa ditë më vonë, më 16 nëntor të vitit 2015 ai u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata e Shkodrës rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, ashtu sikurse edhe kërkesën për ekzaminim psikologjik.

Tentativat për t’i shpëtuar burgimit të përjetshëm nuk mbetën vetëm tek ajo sallë gjyqi. Sokol Mjacaj iu drejtua të gjitha shkallëve të gjyqësorit. Të gjitha e rrëzuan. Në 2022-n ai u rrëzua nga Gjykata e Lartë ashtu sikurse edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Vrasja e Mikaelit dhe Anës nuk ishte e para.

“Karriera” e tij si grabitës e vrasës kishte nisur që në moshë fare të re. Ishte vetëm 15-vjeç kur bashkë me dy persona të tjerë tentuan t’i merrnin varësen një djali 13-vjeçar. Kur ky i fundit rezistoi, ata e vranë dhe trupin ia hodhën në lumë.

Fillimisht u dënua me 10 vjet burg, por Apeli vendosi që këtë dënim t’ia ulte në 5 vjet, pasi Mjacaj bashkëpunoi me drejtësinë duke rrëfyer të gjithë ngjarjen. Dy turistët çekë i vrau kur sapo kishte dalë nga burgu.

Sot, Sokol Mjacaj vrau Arben Lleshin. Këtë herë vrasjen e kreu brenda burgut të Peqinit, ku bashkë me viktimën vuanin dënimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Platforma shtetërore, e-Kosova ka dhënë disa sqarime që mund t’i…