Sokoli: Gjilani synon njërën nga tri pozitat e para

27 dhjetor 2020 | 18:49

Trajneri i ri i skuadrës së Gjilanit, Bylbyl Sokoli, e ka bërë të qartë se skuadra që ai e drejton është shumë e vendosur që në këtë edicion garues të Superligës së Kosovës, të renditet në dy-tre vendet e para.

Sokoli debutoi me një fitore të thellë prej 4-0, ndaj skuadrës së Ballkanit në Suharekë dhe kjo i ka dhënë kurajë dhe besim trajnerit për të synuar diçka më shumë. Sokoli në një intervistë për “KosovaPress”, ka thënë se skuadra që ai drejton ka udhëheqësi të shkëlqyeshme në të gjitha aspektet dhe se aty ku ka kushte, rezultatet nuk do të mungojnë.

“Kosova është në ngritje e sipër të cilësisë. Kosova edhe e ka përmirësuar mjaft infrastrukturën e që ende nuk është e mjaftueshme kjo, nevojitet shumë më tepër, por është shumë e qartë që ekipi ynë, gjegjësisht kampionati ynë ka shënuar ngritje e sipër edhe përkundër pandemisë”, ka thënë Sokoli, duke shtuar: “Ekipet tona kanë bërë transfere shumë të shtrenjta në këtë afat kalimtar dhe kanë krijuar një konkurrencë shumë të fortë brenda për brenda klubeve. Unë pres që të ketë edhe më shumë investime, edhe më shumë mobilizim… që kur të dalim në Evropë të kalojmë bile dy, tri xhiro sepse është e nevojshme”. Trajneri bylbyl Sokoli ka folur edhe për Përfaqësuesen e Kosovës. Ai ka thënë se “dardanët” kanë një grup të vështirë, por mund të marrin rezultate pozitive.

“Është vështirë të parashikohet ajo renditja tabelore, por ne e dimë që nuk kemi luajtur me Spanjën dhe me Suedinë, kurse me Greqinë kemi zhvilluar gara. Unë po them kundër Spanjës dhe Suedisë do të kemi një ballafaqim i cili nuk na favorizon shumë, por jam i sigurt që nëse Përfaqësuesja e Kosovës vjen me të gjithë futbollistët që janë në formë më të mirë dhe të gjithë futbollistët të cilët luajnë në ekipet më të mëdha siç është Rrahmani, Muriqi, Rashica, unë mendoj se do të kemi ekip i cili do të ketë, do të na japë shpresa për ndonjë rezultat të favorshëm, por duhet pranuar se këto ekipe sidomos Spanja, Suedia edhe Greqia janë në ranglistë shumë më lart se që është Kosova”, ka shtuar Sokoli.

“Janë ekipe shumë cilësore, janë ekipe të cilët kanë në mesin e tyre futbollistë të shquar nëpër shumë klube me nam, prandaj janë favoritë, por ne në këtë pjesë duhet kërkuar prezantim ndeshje pas ndeshje, jo të mendojmë për Greqinë para se të luajmë me Greqinë, jo të mendojmë për Spanjën derisa luajmë me Greqinë e kështu me radhë, por kjo nuk ka ndodhur sepse kemi përzgjedhës me përvojë dhe kam bindjen se ekipi ynë do të dijë të mobilizohet ndaj këtyre kundërshtarëve të fuqishëm”, ka pohuar Sokoli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shpalosur para kryesisë…