Sokoli – Llapi, e ardhmja në “mjegull”

20 shtator 2018 | 10:51

Drejtuesit e Llapit ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar rreth së ardhmes së trajnerit Bylbyl Sokoli, i cili ka ofruar dorëheqje pas mosmarrëveshjeve me futbollistët. “Kryesia ka pasur një takim me futbollistët, por asnjë vendim nuk është marrë. Sokoli ende është pjesë e klubit”, ka thënë Tahir Batatina, drejtor i Llapit.

Trajneri Bylbyl Sokoli nuk po arrin të “rehatohet” në skuadrën e Llapit. “Profa”, pasi ka marrë drejtimin e kësaj skuadre, pati mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit për mënyrën e funksionimit, por ato mosmarrëveshje u tejkaluan dhe ai vazhdoi të drejtojë këtë skuadër që synim kryesor e ka titullin e kampiones.

Të mërkurën doli në sipërfaqe një tjetër “sherr” në këtë skuadër, ku futbollistët nuk pranuan të stërviten nën drejtimin e Sokolit dhe kërkuan nga drejtuesit e klubit ta largojnë. Gazeta ka mësuar se kryesia e klubit ka pasur një takim me futbollistët, por asnjë vendim zyrtar nuk është marrë deri të mërkurën pasdite.

Drejtori Tahir Batatina për “Epokën e re” ka konfirmuar takimin në mes të kryesisë dhe futbollistëve por, sipas tij, ende nuk ka asgjë zyrtare me largimin e Sokolit nga klubi. “Kryesia ka pasur një takim me futbollistët, por asnjë vendim nuk është marrë. Sokoli ende është pjesë e klubit”, ka thënë Batatina.

I pyetur se kur do të merret vendimi lidhur me të ardhmen e trajnerit, Batatina ka deklaruar: “Tash për tash asnjë vendim zyrtar nuk ka. Kryesia ende nuk ka vendosur asgjë, por do të vendosë së shpejti”. Gazeta ka mësuar se problemi në mes të trajnerit Sokoli dhe futbollistëve ka ardhur pas kritikave të vazhdueshme që i ka bërë Sokoli në drejtim të tyre, edhe kur skuadra arrinte fitore.

Trajneri Bylbyl Sokoli javën e kaluar për “Epokën e re” deklaroi se skuadra e Llapit synim kryesor nuk e ka titullin, por zhvillimin e ndeshjeve të mira. “Titulli nuk synohet me çdo kusht, por lojërat e mira. Lojtarët po japin maksimumin dhe besoj shumë se së shpejti do të vijmë te loja që e dëshirojmë”, kishte deklaruar “Profa”, i cili konsiderohet ndër trajnerët më të mirë në vend.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Z Mobile Prishtinës është nikoqire e Donar Groningenit…