Sokoli: Lokacioni i stadiumit kombëtar s’duhet të ndërrohet
Ditëve të fundit është bërë bujë e madhe sa i përket lokacionit të ndërtimit të stadiumit kombëtar të Kosovës, pasi zyrtari i lartë i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ekziston një marrëveshje brenda partisë që stadiumi të zhvendoset nga qyteti i Drenasit në afërsi të Prishtinës, Bërrnicë.
Sa i përket kësaj çështje për KosovaPress ka folur edhe trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli.
Sokoli tha se para një viti e ka dhënë idenë e tij rreth stadiumit kombëtar. Sipas tij që nga ajo kohë Kosova është dashur t’i ketë dy stadiume për ndeshje ndërkombëtare.
“Para një viti kam fol për stadiumin e ri qe do të ndërtohet. Kam thënë se Kosova duhet t’i rregullojë dhe mirëmbajë dy stadiume për ndeshjet ndërkombëtare, ‘Adem Jasharin’ në Mitrovicë dhe ‘Fadil Vokrrin’ në Prishtinë. Kostoja e ndërtimit dhe të mirëmbajtjes së stadiumit të ri është shumë e lart prandaj më mirë të ndërtohen 7-8 stadiume me nga 5-6 ulëse nëpër qendrat e Kosovës”, tha Sokoli.
Ndërkohë që sa i përket lokacionit të stadiumit, Sokoli u shpreh se nuk është e nevojshme të ndërrohet lokacioni për shkaqe politike, pasi që vendi ku është caktuar i plotëson të gjitha kriteret.
“Nëse është vendosur të ndërtohet stadiumi i ri atëherë nuk duhet të ndërrohet lokacioni për shkaqe politike. Vendi ku është vendos i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme për një stadium kombëtar ku do të zhvilloheshin ndeshjet ndërkombëtare”, përfundoi Sokoli. Kujtojmë që për këtë çështje ka reaguar edhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ditë më parë.