Sokoli pritet të marrë drejtimin e skuadrës shqiptare
Trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli pritet të marrë drejtimin e skuadrës shqiptare, Kukësi.
Sipas raportimeve nga “Panorama”, Sokoli është një opsion konkret për Kukësin dhe palët shumë shpejt mund të arrijnë në një marrëveshje.
Gjithsesi, ndryshe nga sa ka ndodhur zakonisht, kur ishin kuksianët ata që i vendosnin kushte trajnerit, tani është ky i fundit që ka vënë kushtet e tij.
Bëhet fjalë për stërvitjen dhe grumbullimin e skuadrës në Kukës, gjë që për momentin duket e vështirë të plotësohet nga klubi, sepse bazën e tyre e kanë në kryeqytet dhe në Kukës shkojnë vetëm për ndeshje.
Emri i 64-vjeçarit është lidhur edhe më herët me ekipin e Kukësit, por tani duket se gjërat janë pjekur dhe është kandidati më i mundshëm për të marrë në dorë skuadrën në këtë krizë që e ka kapur. Sokoli ka trajnuar në disa prej ekipeve kryesore në kampionatin kosovar, ku së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës së Gjilanit. Megjithatë, aventurat e tij nuk kanë zgjatur shumë, duke ndërruar shpesh disa ekipe.
Kushdo që do të marrë përsipër të drejtojë Kukësin për pjesën e mbetur të sezonit nuk do ta ketë një sipërmarrje të lehtë. Së pari, duhet të largohet sa më parë nga zona e ftohtë, sepse rreziku është real. Së dyti, duhet të sigurojë me çdo kusht Evropën, sepse në të kundërt bëhet sezoni i tretë radhazi që nuk marrin pjesë dhe dëmet financiare të klubit janë shumë të mëdha.