Soltes: Ka ende kohë të binden disa vende të BE-së për liberalizimin e vizave
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes ka thënë se “nuk duhet lejuar që të ketë aparteid me vizat për Kosovën”.
Ai i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se nuk i din arsyet pse disa vende anëtare të Bashkimit Evropian refuzojnë të japin pëlqimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Komentet e eurodeputetit slloven, pasojnë deklaratat e ditëve të fundit të disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës mund të merr më shumë kohë sesa që pritej.
Pritjet ishin që liberalizimi i vizave të merrte dritën e gjelbër në dhjetor të këtij viti, por kohët e fundit janë shtuar zërat skeptik brenda BE-së rreth kësaj mundësie.
Megjithatë ai shpreson se kjo çështje do të jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave në dhjetor të këtij viti.
“Padyshim se deri atëherë ka ende kohë për t’i bindur vendet anëtare për rëndësinë e garantimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, për mundësinë e liberalizimit të vizave”, ka thënë Soltes.
“Kjo është e nevojshme pasi edhe ka qenë pjesë e kushteve të cilat BE-ja i kishte kërkuar nga Kosova dhe të cilat janë plotësuar nga ana e saj”, ka theksuar ai.
“Procesi në vazhdim, i cili fillimisht u miratua nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, tash i mbetet Këshillit të Ministrave që ta përmbush pjesën e vet”, ka deklaruar Soltes.