Soltes: Liberalizmi i vizave varet nga Qeveria Kosovës
Akuzat e liderëve të Kosovës, duke fajësuar Bashkimin Evropian për ngecje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nuk zgjidhin asnjë problem që ekziston tani mes Kosovës dhe BE-së, ka thënë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes.
Soltes, si pasues i Ulrike Lunaçek në këtë detyrë, në një përgjigje për “Indeksonline”, ka thënë se shpreson se regjimi i vizave për Kosovën të hiqet së shpejti, por kjo gjë varet nga ajo se sa shpejt Qeveria e Kosovës i kryen detyrat e veta.
I pyetur të komentonte deklaratat e Kryeministrit dhe Presidentit të Kosovës, të cilët në vazhdimësi hedhin fajin në drejtim të BE-në për vonesa në procesin e integrimit, Soltes ka thënë se deklarata të tilla nuk janë të justifikueshme dhe se nuk zgjidhin asgjë.
“Nuk mendoj se deklaratat e Kryeministrit dhe të Presidentit të Kosovës janë të justifikuara. BE po bën çmos për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit në BE. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të dyja palët janë përgjegjëse për marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre”, ka thënë Soltes.