Soltesi kërkon heqjen e vizave, po vihet në pikëpyetje krdibiliteti i BE-së
Komisioni i Parlamentit të Bashkimit Evropian për Siguri në dhe Politikën e Jashtme, dje ( e martë) ka diskutuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, ku është thënë se gjendja është e qëndrueshme, por delikate.
Çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe çështja e tarifës prej 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës në Kosovë mbeten dy çështje që dominojnë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në e ndonjëherë edhe tërheqin vëmendjen nga progresi që bëhet në vend, mendojnë ekspertët nga BE-ja dhe parlamentarët evropianë.
David Culleni nga zyra e Komisionit të BE-së për politikën e jashtme përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se “çështja e tarifave ka hedhur hije ndaj shumë punëve të mira që janë duke u bërë”.
Ndër të tjera ai ka përmendur adaptimin e një numri të madh të ligjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në luftën kundër terrorizmit.
Sipas Cullenit, institucionet e Kosovës kanë reaguar si duhet në ndaljen e kosovarëve nga vajtja në Siri, gjatë tre viteve të fundit. Mirëpo Culleni në raportimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian ka shtuar se në Kosovë ajo që mbetet sfidë është “lufta kundër krimit të organizuar”.
Liberalizimi i vizave për kosovarët
Deri tash Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian që janë dy institucionet kryesore të unionit kanë kërkuar që kosovarëve t’iu hiqen vizat pasi janë plotësuar kushtet e vendosura më parë. Çështja që ka mbetur tek një vendim i vendeve anëtare, ka shkaktuar problem të kredibilitetit për institucionet e BE-së.
Igor Soltes, deputet nga Sllovenia, parlamentar nga partia e gjelbër, ka thënë se kosovarët nuk bëjnë dallim në mes të institucioneve të BE-së, dhe me të drejtë.
Soltesi i cili është raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se liberalizimi i vizave duhet të bëhet sa më shpejtë, pasi vihet të pikëpyetje krdibiliteti i BE-së.
Me këtë është pajtuar edhe Culleni, i cili ka treguar se sa herë udhëton në Kosovë si zyrtar i Komisionit Evropian e pyesin për vizat. “Ne Komisioni jemi ata që kemi kërkuar heqjen e vizave”, ka thënë Culleni.
Në këtë diskutim e ka marrë fjalën edhe liberali suedez, Jasenko Selimoviq, i cili ka thënë thjeshtë: “Kemi arritur në një situatë të mosbesimit”, ku BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën.
Tarifa dhe kërkesat e vazhdueshme për heqjen e saj
David Mcallister anëtar i Krtistian Demokratëve të Gjermanisë ka kërkuar nga ekspertët e Komisionit Evropian që të shohin se çfarë mund të bëhet në mënyrë që të hiqet tarifa që shihet si bllokadë për vazhdimin e dialogut.
David Culleni ka bërë me dije për takime të shumta që janë bërë me zyrtarët kosovarë, disa prej të cilave kanë zgjatur edhe 7 orë dhe deklarimet e shumta. Këto përpjekje dhe mungesa e rezultatit janë shpjeguar nga Anna Maria Boura nga Komisioni Evropian, e cila ka thënë se tarifa ka qenë një vendim që ka bashkuar të gjithë shoqërinë “e fragmentuar” kosovare.
“Tarifat dhe transformimi i FSK-së janë vendime popullore dhe sjellim unitet në një atmosferë të fragmentarizuar. Ato janë shumë popullore”.
“Është një gjë që i bën kosovarët të ndjehen mirë për veten”,.
“Komisionari Hahn dhe Malstromi kanë dërguar letra për të treguar qëndrimin tonë te kosovarët. Mendoj se tani jemi duke parë sinjalet e para se mesazhi ynë është duke u dëgjuar”, ka thënë Boura.
Transformimi i FSK-së dhe siguria
Nga ana e tij komandanti i forcave të KFOR-it, gjeneralmajori D’Addario, ka thënë se frikësohet nga krijimi i një situate ku një shkëndijë mund të shkaktojë trazira.
Ai ka thënë se janë duke u ballafaquar më shumë sfida të krijuara nga lajmet e rreme, që shkaktojnë tensione. Ai ka përmendur një titull nga muaji dhjetor që thoshte se FSK-ja do të ‘pushtojë’ veriun më 31 dhjetor në ora 22:00.
“Për mua kërcënimi më i madh është një mjedis, i cili mund të shpërthente nga një incident i vetëm në diçka më të madhe”, ka thënë D’Addario.
Ai ka thënë se KFOR-i që e ka mandatin nga rezoluta 1244 është në situatë të mirë të ofrojë mjedisit të sigurt, pasi është në kontakt edhe me Komandën e Lartë të Ushtrisë së Serbisë edhe FSK-së. Më tutje, D’Adario ka thënë se me ftesat e reja për intervista të ish-komandantëve të UÇK-së nuk ka pasur kërcënim të sigurisë. / DW/