Sommer: Në Kosovë është arritur shumë, por ka shumë për t’u bërë
Udhëheqësja e Departamentit për Migrim dhe Integrim në Organizatën AWO në Gjermani, Martina Sommer, është shprehur e kënaqur me realizimin e projekteve të shuma në Kosovë që kanë pasur për qëllim përkrahjen e njerëzve të kthyer vullnetarisht nga Gjermania.
Ajo ka treguar se ndaj aktiviteteve të kësaj organizate qytetarët e Kosovës tregojnë shumë besim.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Sommer ka deklaruar se nga viti 2007 në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra pozitive. “Që nga viti 2007 kanë ndryshuar shumë gjëra pozitivisht. Infrastruktura është ndërtuar masivisht, qytetet janë zbukuruar dhe janë bërë më të përshtatshme për jetesë. Prapë së prapë për shumë njerëz zhvillimi nuk ecën mjaftueshëm shpejtë. Kjo gjë është e kuptueshme pasi që vendi, në krahasim me Evropë, ka shumë për të arritur: ekonomikisht, por edhe në çështjet shëndetësore dhe sociale. Kosovën e kam në zemër dhe kur nuk vij këtu një kohë të gjatë me kaplon malli për këtë vend”, ka thënë Sommer.
Ajo ka bërë me dije se Kosova është një vend i ri me njerëz të cilat kanë pritshmëri për të ardhmen. “Në vitet e shumta të angazhimit tim për Kosovën kam takuar shumë njerëz miqësorë, pozitivë që janë përplot guxim dhe shpresë. Vendi është i ri dhe përplot pritshmëri për një të ardhme më të mirë”, është shprehur ajo.
Në këtë intervistë Sommer ka folur edhe për projektet e reja të qendrës këshilluese të “AWO Nürnberg” në Kosovë. “AWO Nürnberg është aktiv në Kosovë që nga viti 2007. Në fillim përmes një projekti bashkëpunimi me Ministrinë për Migrim dhe Refugjatë. Që nga viti 2009 kemi zyrën tonë në Prishtinë dhe që nga viti 2015 edhe në Prizren. Që nga janari 2021 kemi filluar me një projekt të ri i cili quhet “Hallo Deutschland” dhe u dedikohet punëtorëve të kualifikuar të cilët kanë vendosur të punojnë në Gjermani. Ne përkrahim punëtorët e kualifikuar dhe familjet e tyre në përgatitjen për jetën në Gjermani”, ka deklaruar Sommer.
“Epoka e re”: Znj. Sommer çfarë organizate është “AWO Nürnberg” dhe me çka merret?
Sommer: AWO është një nga organizatat më të mëdha të mirëqenies vullnetare në Gjermani. Është aktive mbi 100 vite në punën sociale. AWO ofron një spektër të gjerë të ofertave. Ka çerdhe të fëmijëve, shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve, këshillim për persona që gjenden në vështirësi, ndihmë për të pastrehë dhe përkrahje për migrantë dhe shumë më shumë. Një pikë kyçe e AWO Nürnberg është këshillimi dhe përcjellja e migrantëve dhe refugjatëve.
“Epoka e re”: Cilat kanë qenë arsyet që kjo organizatë ka zgjedhur që aktivitetin e saj ta shtrijë në Kosovë?
Sommer: AWO Nürnberg këshillon që nga viti 2003 migrantët, që dëshirojnë të kthehen në vendlindjet e tyre. Me qëllim të përkrahjes së këtyre njerëzve, në Bayern është ndërtuar një rrjet i qendrave të këshillimit për të kthyer. Këtu përfshihet edhe përkujdesja në vendin e lindjes pas largimit nga Gjermania. Në qendrën tonë të këshillimit në Nürnberg, kemi pasur shumë prej tyre që kanë dashur të kthehen në Kosovë. Kështu ka qenë edhe e kuptueshme, që ne si AWO të angazhohemi edhe në këtë vend të kthimit. Me Kosovën kemi gjetur një fqinj evropian me të cilin bashkëpunojmë me dëshirë dhe sukses.
“Epoka e re”: Që sa kohë veproni në Kosovë?
Sommer: AWO Nürnberg është aktiv në Kosovë që nga viti 2007. Në fillim përmes një projekti bashkëpunimi me Ministrinë për Migrim dhe Refugjatë. Që nga viti 2009 kemi zyrën tonë në Prishtinë dhe që nga viti 2015 edhe në Prizren. Që nga janari 2021 kemi filluar me një projekt të ri i cili quhet “Hallo Deutschland” dhe u dedikohet punëtorëve të kualifikuar të cilët kanë vendosur të punojnë në Gjermani. Ne përkrahim punëtorët e kualifikuar dhe familjet e tyre në përgatitjen për jetën në Gjermani.
“Epoka e re”: Po nga kush financohen këto projekte?
Sommer: Projekti i ri-integrimit financohet nga Zyra e Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë dhe Zyra Shtetërore Bavareze për Azil dhe Kthim. Projekti “Hallo Deutschland” është i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nga Fondi për Azil, Migrim dhe Integrim.
“Epoka e re”: Si është pritur kjo organizatë nga qytetarët e Kosovës?
Sommer: Ndaj nesh është treguar dhe tregohet shumë besim. Ndihmat praktike të cilat ne ofrojmë si p.sh. pako ushqimore, ndihmë për rinovim apo medikamente vlerësohen shumë nga ndihmëkërkuesit. Por edhe këshillimi social dhe psikologjik pranohet me shumë dëshirë. Në veçanti të pëlqyera janë aktivitetet tona grupore me fëmijë dhe të rinj. Në këto grupe mësohet, luhet dhe qeshet së bashku. Aktivitetet e kohës së lirë si noti, skijimi, ekskursionet janë një ndryshim i mirëpritur në jetën e përditshme të shqetësuar shpesh të familjeve. Po ashtu edhe bashkëpunimi me autoritetet kosovare dhe organizatat e ndryshme është një partneritet i besueshëm. Për çështje të klientëve përkrahim njëri-tjetrin dhe kërkojmë zgjidhje së bashku.
“Epoka e re”: Cila është përshtypja e juaj për Kosovën. Sa ka ndryshuar ky vend prej kur keni ardhur ju?
Sommer: Në vitet e shumta të angazhimit tim për Kosovën kam takuar shumë njerëz miqësorë, pozitivë që janë përplot guxim dhe shpresë. Vendi është i ri dhe përplot pritshmëri për një të ardhme më të mirë. Që nga viti 2007 kanë ndryshuar shumë gjëra pozitivisht: Infrastruktura është ndërtuar masivisht, qytetet janë zbukuruar dhe janë bërë më të përshtatshme për jetesë. Prapë së prapë për shumë njerëz zhvillimi nuk ecën mjaftueshëm shpejtë. Kjo gjë është e kuptueshme pasi që vendi, në krahasim me Evropë, ka shumë për të arritur: ekonomikisht, por edhe në çështjet shëndetësore dhe sociale. Kosovën e kam në zemër dhe kur nuk vij këtu një kohë të gjatë me kaplon malli për këtë vend.