Son dëshiron të bëhet legjendë e Tottenhamit
Kapiteni Son Heung-min thotë se dëshiron të mbahet mend si një legjendë e Tottenham Hotspur, por nuk beson se mund të konsiderohet i tillë ende.
32-vjeçari është afër përvjetorit të dhjetë në klubin e Premier Ligës dhe ka bërë më shumë se 500 paraqitje. Ai ka shënuar të paktën 14 gola në ligë në secilin nga tetë sezonet e fundit dhe ka krijuar një partneritet të shkëlqyer me Harry Kane përpara se kapiteni i Anglisë të kalonte te Bayern Munich verën e kaluar.
I pyetur se çfarë trashëgimie do të donte të linte një ditë në klub, sulmuesi i Koresë së Jugut, Son, për “BBC Sport” ka thënë: “Legjendare”. “Të qëndrosh në një ekip për 10 vite është një përpjekje e mirë mendoj unë. Duhet të jesh i qëndrueshëm në këtë dhe gjithashtu duhet t’i japësh diçka klubit. Ende nuk mendoj se jam një legjendë e këtij klubi. Kam thënë që dua të fitoj diçka me ‘Spurs’, atëherë do të jem shumë i lumtur të quhem legjendë. U bashkova me ‘Spurs’ për të fituar një trofe dhe shpresoj se mund të bëjmë një sezon të veçantë”, ka thënë Son.
Tottenham nuk ka fituar një trofe të madh që nga Kupa e Ligës në vitin 2008, por ndërsa Son shpreson t’i ndihmojë ata për të fituar këtë sezon, ai nuk po vendos objektiva personale.
Sezonin e kaluar ai shënoi 17 gola në Premier League ndërsa Spurs përfundoi në vendin e pestë. “Nuk po vendos një objektiv se ku duhet të jem,” tha ai.
“Imagjinoni nëse them 10 gola ose diçka të tillë dhe ti shënon 10 gola në gjashtë ndeshje, qëllimi yt përfundon. Dua të shtyj sa më shumë që të mundem, duke mos ndierë kurrë se është mjaft. “Dua të shkoj sa më lart të jetë e mundur në çdo aspekt – ekip, individual, gjithçka. Pastaj do të shohim se ku jemi”.