Sondazh: Laburistët e opozitës kanë më shumë përkrahje se qeveria konservatore në Britani
Sipas organizatës për sondazhe “Opinium”, Partia Laburiste e Britanisë së Madhe për herë të parë ka përkrahje më të madhe se Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson.
Sondazhi i bërë për gazetën “The Observer” ka treguar se 42 për qind e votuesve e përkrahin Partinë Laburiste, ndërsa 39 për qind Partinë Konservatore, shkruan “Anadolu”.
Ky është një dallim i madh me rezultatin që ishte nxjerrë gjashtë muaj më parë, kur filloi përhapja e pandemisë. Në atë kohë, konservatorët kishin 26 për qind epërsi ndaj laburistëve.
Hera e fundit kur Partia Laburiste kishte më shumë përkrahje në sondazhe ishte në korrik të vitit të kaluar, kur konservatorët udhëhiqeshin nga ish-kryeministrja Theresa May. Në atë periudhë, laburistët ishin dy për qind në epërsi ndaj konservatorëve.
Kryetari i Partisë Laburiste, Sir Keir Starmer, në këtë sondazh ka dalë me përkrahje më të madhe prej 4 për qind ndaj kryeministrit britanik dhe kryetarit të Partisë Konservatore, Boris Johnson.
Në bazë të rezultateve të sondazhit, 55 për qind e votuesve mendojnë se lideri i opozitës është gati të bëhet kryeministër dhe 40 për qind besojnë se Partia Laburiste mund ta formojë qeverinë e ardhshme.
Vetëm gjatë dy javëve të kaluara, vlerësimi personal për shefin e qeverisë britanike ka rënë nga – 6 për qind në – 12 për qind. Ai është kritikuar për menaxhimin e situatës së pandemisë pasi Britania është një ndër vendet me më së shumti viktima në Evropë.