Sondazhet kontroverse dhe “armët” kryesore të Ibrahim Rugovës
Shkruan: Bajram Mjeku
Sebep për këtë postim, u bënë sondazhet kontroverse të publikuara mbrëmë dhe shpërthimi i kampeve politike rreth vërtetësisë së tyre, të cilat më detyruan të gërmoj diçka nga kujtesa ime!
Lideri historik dhe shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë rrugëtimit të rëndë politik i dispononte tri “armë” politike, të cilat nuk i hiqte asnjëherë nga mendja.
Arma e parë ishin marrëdhëniet ndërkombëtare dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë. Ne barakën e dikurshme, të cilën sot e quajmë Shtëpia e Pavarësisë, Rugova duke rrëzëllyer dinjitet, durim e modesti, mahniste diplomatët e huaj, të cilët e vizitonin Kosovën pothuajse çdo ditë.
Arma e dytë e tij ishte Qendra për Informim e Kosovës. Rugova nuk e përdorte QIK-un për propagandë dhe favore politike, por për Kosovën dhe gjendjen e saj të rëndë nën kushte të rënda të okupimit, sepse personalitetin e tij e mirëmbanin miqtë ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara, të cilën e konsideronte aleate të përhershme dhe mike të shenjtë. Për ata që kanë harruar apo nuk duan ta kujtojnë, ua kujtoj se punën në QIK e kemi nisur çdo ditë në orët e hershme të mëngjesit dhe deri në vitin 1997 e kemi mbaruar në orët e vona të mbrëmjes. Kur nisi lufta në Kosovë, puna jonë përfundonte mbas mesnatës.
Mbas këtyre orëve, nuk e kishim problem lodhjen, por mënyrën si të mbërrinim në banesat tona, sepse në Prishtinë nuk lëvizte askush përveç policëve dhe shërbimit sekret serb. E vetmja gjë që na mbante në jetë ishte puna e jashtëzakonshme dhe respekti i Rugovës ndaj neve. Kur kthehej nga vizitat jashtë vendit na thoshte: “Ju po e mbani gjallë shpirtin dhe rezistencën e Kosovës, sepse e shihni, unë mungova për disa ditë”!
Arma e tretë e presidentit Rugova, ishin kryetarët e degëve të partisë. Ndaj tyre gëzonte respekt pafund, të cilët i trajtonte si të ishin zeusë.
Sot, nga kjo distancë kohore dhe për habinë e shumëkujt, Rugova nuk gëzonte respekt të veçantë për Kryesinë e partisë, përjashto figurën e profesor Aganit dhe të ndonjë miku të hershëm. Kryesinë e LDK-së e trajtonte si diçka formale, të cilën as e kundërshtonte, as e miratonte ndonjë propozim të saj!
Të jesh në pushtet, është përgjegjësi dhe jo privilegj, por edhe të jesh në opozitë, nuk është fundi i botës! Të rikthesh besimin e humbur, kërkohet përkushtim dhe sakrificë e madhe, që do të thotë se nuk mjafton që në seli të partisë të pijsh për shembull në orën 10:00 kafen e mëngjesit dhe të realizosh ndonjë takim sa për kortuazi.
Nga sondazhet frikësohen vetëm ata politikanë, të cilët gjithë jetën e shkojnë duke u fshehur mbrapa lisave të mëdhenj, derisa sondazhi i vërtetë, dihet vetëm në ditën kur voton sovrani, sepse ajo ditë në fakt është si Dita e Gjykimit!