Sondazhet: Trumpi në epërsi të ngushtë në pesë prej shtatë shteteve kyçe

04 nëntor 2024 | 15:49

Disa sondazhe u zhvilluan në ShBA gjatë fundjavës rreth zgjedhjeve presidenciale dhe në secilin dolën rezultate me ndryshime të vogla.

Nëse shikohet trendi i përgjithshëm, e jo pikët individuale, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, ka vetëm 1 për qind epërsi në sondazhet kombëtare – 48 për qind me 47 për qind, ndaj rivalit Donald Trump, raporton televizioni BBC.

Megjithatë, ndarja e votës kombëtare nuk e përcakton fituesin, që me gjasë do të vendoset në shtatë shtetet kyçe, ku rezultatet ishin shumë të ngushta më 2020 dhe mund të jenë vendimtare edhe kësaj radhe.

Trumpi ka epërsi prej 1 deri në 3 për qind në Georgia, Arizona dhe Karolinë të Veriut.

Gara në katër shtetet e tjera kyçe pritet të jetë edhe më e ngushtë. Trumpi ka më pak se 1 për qind epërsi në Nevada dhe Pensilvani, ndërsa zonja Harris është po ashtu për më pak se 1 për qind në epërsi në Michgan dhe Wisconsin.

Sidoqoftë, është me rëndësi që të mbahet në mend fakti se epërsitë e tanishme në shtetet ku partia fituese mund të ndryshojë janë aq të ulëta, saqë është e pamundshme të dihet se cili kandidat është vërtet në epërsi, sepse sondazhet veç e veç, që përdoren për t’i nxjerrë këto mesatare, zakonisht kanë margjinë gabimi prej tre deri në katër për qind, thekson transmetuesi publik britanik.

Pasi epërsitë në të shtatë shtetet kyçe ndodhen brenda kësaj margjine, kjo nënkupton që, në realitet, cilido kandidat mund të jetë në epërsi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka…