Sondazhi i KDI-së: 44 për qind e qytetarëve nuk i shohin zgjedhjet si zgjidhje për dialogun
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), gjatë një konference për media të mbajtur sot, ka shpalosur të gjeturat kryesore nga sondazhi i tetë “Këndvështrimi i qytetarëve rreth dialogut Kosovë – Serbi pas formimit të delegacionit shtetëror”, që vë në pah këndvështrimin e qytetarëve të Kosovës rreth procesit të dialogut me Serbinë.
Jeta Krasniqi nga KDI-ja ka theksuar se ky sondazh është realizuar duke marrë në konsideratë polarizimin e spektrit politik, pas zhvillimeve të fundit lidhur me dialogun, siç janë krijimi i Delegacionit Shtetëror, kërkesat e vazhdueshme të partive opozitare për zgjedhje, diskutimeve rreth afatet kohore për arritjen e marrëveshjes me Serbinë dhe rolin e opozitës në këtë proces.
Violeta Haxholli nga KDI-ja, lidhur me rezultatet e këtij hulumtimi, ka theksuar se qytetarët janë të ndarë në qëndrimin e tyre rreth besueshmërisë ndaj Delegacionit Shtetëror të Kosovës. Rreth 35 për qind e qytetarëve nuk besojnë ndërsa 34 për qind e tyre besojnë që Delegacioni Shtetëror do të arrijë të mbrojë interesin e Kosovës në kuadër të procesit të dialogut. Kurse, 28 për qinde qytetarëve nuk kanë qëndrim mbi këtë çështje.
Duke folur lidhur me përfshirjen eventuale të dy partive opozitare përkatësisht LDK-së dhe LV-së në Delegacionin Shtetëror, Haxholli ka shtuar që sipas rezultateve të hulumtimit, gati gjysma e qytetarëve, përkatësisht 46 për qind e tyre, janë shprehur që të dy këto parti duhet të përfshihen në Delegacion.
Në bazë të preferencave partiake, nga 55 për qind e votuesve të dy partive respektive përkatësisht LDK-së dhe LV-së, mendojnë se të dy këto parti duhet të përfshihen në Delegacionin Shtetëror.
Ajo ka potencuar se 22 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se asnjëra nga këto parti nuk duhet të përfshihet në Delegacionin Shtetëror, ndërsa 21 për qind e qytetarëve janë shprehur se nuk e dinë. Janë rreth 10 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se vetëm njëra apo tjetra parti duhet të përfshihen në Delegacion Shtetëror.
Ndërsa Jeta Krasniqi, ka thënë se të dhënat e marra nga hulumtimi tregojnë që afërsisht gjysma e qytetarëve, 44 për qind e tyre, nuk i shohin zgjedhjet si zgjidhje për tejkalimin e problemeve që ndërlidhen me procesin e dialogut. Megjithatë, një pjesë tjetër e konsiderueshme e qytetarëve, përkatësisht 31 për qind e tyre, kanë deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje para vazhdimit të fazës përmbyllëse, ndërsa 25 për qind e qytetarëve nuk e dinë nëse duhet të ketë zgjedhje apo jo.
Bazuar në përcaktimin politik të votuesve të partive në koalicionin qeverisës, rreth 50 për qind e tyre nuk i shohin zgjedhjet si zgjidhje për dialogun, ndërsa 31 për qinde tyre kanë deklaruar se nuk e dinë.
Ndërsa, rreth 52 për qind e votuesve të të dy partive opozitare LDK-së dhe LV-së të cilat po kërkojnë zgjedhje, vlerësojnë se vendi duhet të shkoj në zgjedhje para vazhdimit të fazës përfundimtare të dialogut.
Në fund, duke prezantuar të gjeturat lidhur me afatet kohore brenda të cilave duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Krasniqi ka deklaruar se 32 për qind e qytetarëve mendojnë që marrëveshja duhet të arrihet gjatë vitit 2019.
Në anën tjetër, 29 për qind e qytetarëve mendojnë që nuk duhet të ketë fare afate kohore për arritjen e marrëveshjes. “Mundësia e arritjes së një marrëveshje gjatë vitit të ardhshëm përkrahet nga 23 për qind e qytetarëve, ndërsa 4 për qind kanë deklaruar se palët nuk duhet të arrijnë fare marrëveshje”, ka thënë ajo.
Sa i përket metodologjisë, ky hulumtim është zhvilluar përgjatë periudhës 3 deri më 12 mars të këtij viti, si dhe ka përfshirë një mostër përfaqësuese prej 1 070 respondentësh në nivel vendi, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
(Epoka e re / Qendresa RAMA)