‘77.6% e qytetarëve kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territorit me Serbinë’
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot konferencë për media, në të cilën janë paraqitur rezultatet e sondazhit të shtatë të opinionin publik, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Periudha e anketimit ka qenë nga 5 deri më 13 shtator.
Jeta Krasniqi nga KDI gjatë prezantimit të të dhënave, ka bërë me dije se pyetjet e këtij sondazhi lidhen me zhvillimet e fundit rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, rreth rolit të presidentit dhe opozitës, rreth opsionit të shkëmbimit të kufijve në mes palëve si pjesë të një marrëveshjeje eventuale dhe veprimeve të tyre dhe alternativën më të pranueshme të qytetarëve në mes një asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive dhe ndryshimit të kufijve të Kosovës.
Krasniqi ka treguar se qytetarët janë pyetur se sa janë të kënaqur me kahjen që presidenti Hashim Thaçi, po i jep procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo ka theksuar se janë 75.1% e qytetarëve të cilët janë shprehur të pakënaqur me kahjen që presidenti Thaçi po i jep dialogut Kosovë-Serbi, përkundrejt vetëm 20% e tyre janë shprehur të kënaqur më këtë proces.
Kurse sa i përket qëndrimit të qytetarëve nëse do të pranonin shkëmbimin e territorit në mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë të një marrëveshjeje potenciale, një përqindje mjaftë e lartë prej 77.6% të respodentëve kanë thënë se e kundërshtojnë këtë ide.
/Epoka e re/