Sondazhi i KDI-së për dialogun: Shumica e qytetarëve preferojnë që taksa 100% të mbetet në fuqi
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar sot të gjeturat kryesore të sondazhit të nëntë të opinionit publik “Këndvështrimi i qytetarëve për temat potenciale të marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi”.
Ky sondazh shpalos këndvështrimin qytetarë lidhur me çështjet kryesore rreth së ardhmes së procesit të dialogut siç janë: taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, teza e korrigjimit të kufijve, Asociacioni i komunave me shumicë serbe si dhe temat potenciale që qytetarët presin të jenë pjesë e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Aktualisht Kosova ndodhet para krijimit të institucioneve të reja qeverisëse dhe çështja e taksës do të jetë një ndër temat të cilat mbeten të ndërlidhura me procesin e dialogut, për shkak të kushtëzimit të vazhdimit të këtij procesi me heqjen e taksës nga ana e Serbisë.
Lidhur me çështjen nëse Qeveria duhet të pezullojë këtë masë për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë, shumica e qytetarëve përkatësisht 59 për qind e tyre kanë vlerësuar se Qeveria e ardhshme nuk duhet të pezullojë taksën për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë.
Sipas përkatësisë etnike këtë mendim e ndajnë 61 për qind e të anketuarve nga komuniteti shqiptar, 56 për qind e të anketuarve nga komunitetet e tjera jo shumicë dhe 10 për qind e të anketuarve nga komuniteti serb.
Ideja e ‘korrigjimit të kufijve’ e shpalosur në opinion nga presidenti Thaçi në vitin 2017, pati interpretime të shumta se çfarë do të thotë kjo tezë dhe cilat do të mund të ishin implikimet e saj. Në shumësinë e interpretimeve, nevoja për qartësimin e kësaj teze mbetet evidente.
Në bazë të këtij hulumtimi të opinionit publik, del në pah se rreth 45 për qind e të anketuarve janë shprehur se e kanë të qartë se çfarë nënkupton teza “korrigjim i kufijve”.
Ndërsa, 31 për qind e tyre e kanë deri diku të qartë dhe 20 për qind të anketuarve nuk e kanë të paqartë se çfarë nënkupton kjo tezë.
Sipas përkatësisë etnike, këtë nocion e kanë të qartë 47 për qind e të anketuarve nga komuniteti shqiptar, 20 për qind e të anketuarve nga komuniteti serb dhe 23 për qind e të anketuarve nga komunitetet e tjera jo shumicë.
Temë e cila pati interpretime të ndryshme rreth formatit të saj dhe implikimeve të mundshme në funksionimin e shtetit të Kosovës, duke shkaktuar gjithashtu polarizim politik në vend, ishte dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Në këtë hulumtim, del në pah se sa e kuptojnë qytetarët se çfarë nënkuptohet me ‘Asociacion i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive’.
Janë 39 për qind e qytetarëve të cilët janë shprehur se e kanë të qartë se çfarë nënkuptohet me “Asociacion i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”.
Ndërsa, 29 për qind e tyre janë deklaruar se e kanë të paqartë dhe 27 për qind e tyre janë shprehur se e kanë deri diku të qartë. Në baza etnike, në nivel më të lartë qytetarët nga komuniteti shqiptar me 41 për qind e kanë të qartë çfarë nënkuptohet me “Asociacion i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, kundrejt 26 për qind të qytetarëve nga komuniteti serb dhe 17 për qind e qytetarëve nga komunitetet e tjera joshumicë.
Aktualisht procesi i dialogut vazhdon të mbetet i pezulluar dhe e ardhmja e këtij procesi mbetet e paqartë. Ende nuk dihen temat të cilat do të diskutohen në kuadër të këtij procesi dhe të cilat do të mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje potenciale gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme në mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas qytetarëve të anketuar, disa nga elementet më të rëndësishme që sipas tyre duhet të përfshijë marrëveshja Kosovë – Serbi janë të pagjeturit (71 për qind), dënimet për krime të luftës (60 për qind), dëmshpërblimet e luftës (59 për qind) dhe kërkimfalja (56 për qind), kthimin e fondit (41 për qind) dhe me 38 për qind është vlerësuar njohja reciproke.
Megjithatë, janë shpërfaqur dallime në mes qytetarëve nga komunitetet e ndryshme lidhur me elementet që duhet të përmbajë marrëveshja Kosovë – Serbi.
Ky hulumtim i opinionin publik është realizuar në periudhën kohore 2 deri më 8 shtator 2019, me një mostër përfaqësuese prej 1070 respondentësh në nivel vendi, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Margjina e gabimit ±3 për qind në përzgjedhje për interval të konfidencës 95 për qind.
Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.
/Epoka e re/