Sondazhi i KDI-së: Qytetarët vlerësojnë se marrëveshja finale përcaktohet nga ShBA-ja dhe BE-ja
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar sot rezultatet e dy pyetjeve të opinionit publik rreth këndvështrimit të qytetarëve lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Këto pyetje shpalosin këndvështrimin qytetar lidhur me rolin e BE-së si ndërmjetësues i procesit të dialogut Kosovë-Serbi si dhe ndikimin që qytetarët presin të ketë Qeveria aktuale në këtë proces.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është ndërmjetësuar nga BE që nga viti 2011, në kuadër të së cilës janë arritur një sërë marrëveshjes të cilat nuk kanë gjetur zbatim në plotëni ndërsa raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë arritur të normalizohen.
Kur janë pyetur qytetarët se çfarë duhet të bëjë BE-ja për të rikthyer besueshmërinë e saj si lehtësuese e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, 66 për qind e tyre kanë vlerësuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndikonte në rikthimin e këtij besimi.
Sipas përkatësisë etnike këtë mendim e ndajnë 67 për qind e të anketuarëve nga komuniteti shqiptar, 57 për qind e të anketuarëve nga komunitetet e tjera jo shumicë dhe 30% e të anketuarëve nga komuniteti serb.
Në anën tjetër, janë 35 për qind e qytetarëve të cilët vlerësojnë që për të rikthyer besueshmërinë, vendet anëtare të BE-së duhet të kenë qëndrim unik ndaj Kosovës, ndërsa 33 për qind e tyre vlerësojnë që BE duhet të ndëshkoj palën e cila nuk zbaton marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut si mënyra për të rritur kredibilitetin e saj si ndërmjetësues e procesit të dialogut.
Sipas përkatësisë etnike, 66 për qind e të anketuarëve nga komuniteti serb vlerësojnë se BE duhet të mbajë qëndrim neutral në marrëdhëniet Kosovë-Serbi për të rikthyer kredibilitetin e saj si ndërmjetësues.
Ky qëndrim mbështetet nga 22 për qind e të anketuarëve nga komuniteti shqiptar dhe 26 për qind nga komunitetet e tjera.
KDI-ja ka vlerësuar të nxjerr në pah këndvështrimin qytetar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, pas formimit të qeverisë së re.
Qytetarët janë kërkuar që të përzgjedhin dy prej deklaratave më të përafërta me qëndrimet e tyre lidhur me procesin e dialogut pas formimit të Qeverisë së re.
Rreth 40 për qind e tyre vlerësojnë se pavarësisht se kush është në Qeveri, marrëveshjen Kosovë-Serbi do ta përcaktojnë ShBA-të dhe BE-ia. Kjo deklaratë është përzgjedhur më së shumti nga të anketuarit e të gjitha komuniteteve.
Ndërsa 39 për qind e qytetarëve janë shprehur se me qeverinë e re kanë më shumë besim që procesi i dialogut do të jetë në favor të Kosovës. Këtë qëndrim e kanë ndarë 41 për qind e të anketuarëve nga komuniteti shqiptar, 26 për qind e të anketuarëve nga komunitetet e tjera dhe vetëm 2 për qind e të anketuarëve nga komuniteti serb. Se procesi i dialogut do të mbetet i njëjtë, është vlerësim i 11 për qin të të anketuarëve.
Ky hulumtim i opinionin publik është realizuar në periudhën kohore 13 – 20 mars 2020, me një mostër përfaqësuese prej 1 070 respondentësh në nivel vendi, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Margjina e gabimit ±3% në përzgjedhje për interval të konfidencës 95 për qind. Anketa është realizuar përmes teknikës CATI (bërë përmes thirrjeve telefonike dhe të dhënat janë procesuar përmes softuerit për menaxhim të anketave).
Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.