Sondazhi i investitorëve në Eurozonë
Investitorët në Eurozonë janë ndjerë më optimistë gjatë Janarit, ndërkohë që ekonomia globale ka marrë vrull, duke larguar shqetësimet mbi mungesën e një qeverie të re në Gjermani.
Indeksi “Sentix” për Eurozonën, i bazuar në sondazhe mujore drejt 930 investitorëve, u rrit në një nivel rekord prej 32.9 pikë gjatë Janarit, duke thyer projeksionet e ekonomistëve. Një nën-indeks që mat situatën aktuale, shënoi nivelin më të lartë që prej Gushtit 2007.
“Ekonomia në të gjithë rajonet e botës duket tashmë më e qëndrueshme dhe pozitive. Rimëkëmbja është më e gjerë dhe e sinkronizuar. Megjithatë, mundësia e arritjes së mbikapacitetit po rritet”, thuhet në deklarimin nga firma hulumtuese me seli në Frankfurt, raporton “scantv”.
Sipas sondazheve mujore, bizneset nuk kanë shfaqur shqetësim mbi mungesën e një koalicioni të ri në Gjermani. Përpjekjet e kancelares Angela Merkel për të formuar koalicion me tre parti dështuan, megjithatë, ajo rifilloi bisedimet me social demokratët ditën e djelë dhe tha se është optimiste për formimin e qeverisë së re.
Partitë, që ka gjasa të përplasen në çështje si emigracioni, taksimi, kujdesi shëndetësor dhe reformat mbi Evropën, pritet të lajmërojnë në fund të kësaj jave nëse do të rihapen negociatat intensive për koalicion.
Në vend që të përqendrohen te mungesa e qeverisë gjermane, investitorët kanë filluar të vlerësojnë ndikimin e reformës tatimore të Donald Trump, që do të nxisë fitimet e kompanive dhe kërkesën për mallra kapitale.
Presidenti Donald Trump nënshkroi reformën tatimore në muajin Dhjetor, që ul taksën e korporatave në 21% nga 35%.