Sonte Ballkani e zhvillon ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve

11 korrik 2023 | 08:00

Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Ballkani e ka përfunduar stërvitjen e fundit para ndeshjes kualifikues për Ligën e Kampionëve ndaj skuadrës bullgare Ludogorets.

“Ekipi është gati për ndeshjen e nesërme, ku e presim përkrahjen e secilit prej jush, pasi gjithmonë bashkë jemi më të fortë. Na priftë e mbara!”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Suhareka. Ndeshja mes djelmoshave që drejtohen nga trajneri Ilir Daja dhe skuadrës bullgare zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.

Trajneri Daja e pranon se ndeshja do të jetë shumë e vështirë, por ka bërë me dije se skuadra e tij do të bëjë të njëjtën lojë si gjithmonë dhe nuk do të parkojnë autobusin pavarësisht se kush është kundërshtar. “Na pret një ndeshje e vështirë, por ndeshjet e vështira nganjëherë janë më të bukura për të luajtur sepse nuk ke të bësh me motivimin e lojtarëve, por vetëm me fokusimin e tyre në ato detyrat taktike. Do të bëjmë të njëjtën lojë si gjithmonë. Kemi disa mënyra për t’u përball me kundërshtarin. Ekipi ka respekt për kundërshtarin, por edhe vetën. Kemi një grup që ka eksperiencë historike në futbollin e Kosovës. Kemi po atë 11-she, përveç Ermal Krasniqit që nuk është më pjesë e jona dhe po shkëlqen atje ku ka shkuar. Siç kam thënë, nuk do të parkojmë autobusin ndaj asnjë kundërshtari që kemi përballë”, ka thënë Daja. “Është e vështirë të flasë tani, por edhe në këtë pjesëmarrje mendojmë që të bëjmë më të mirën e mundshme. Jemi përgatitur në maksimum. Kemi bërë një fazë përgatitore gati një muaj, ekipi është në formën e duhur. Çdo lojtar e ka për detyrë të jep më shumë se potenciali i vet, të jep shpirtin në fushë kur ke një kundërshtar të fortë”, ka shtuar Daja.

Për ndeshjen ndaj Ludogorets ka folur edhe mbrojtësi Armend Thaqi. Ky i fundit e pranon se Ballkani do ta këtë më të vështirë sivjet, pasi vitin e kaluar e kanë njohur me pak. “Pas vitit të kaluar që kemi shkruar historinë, mendoj që ky vit do jetë më i vështirë, sepse vitin e kaluar na kanë njohur pak, këtë vit na shohin me sy tjetër. Tani na konsiderojnë shumë më të fortë se vitin e kaluar, do jetë e vështirë të përsërisim suksesin, kemi kundërshtar të vështirë – shpresojë të kemi fat dhe ta fillojmë mbarë. Assesi nuk do të dorëzohemi, duam ta tregojmë veten dhe të tregojmë sa vlejmë”, ka thënë Thaqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i klubit futbollistik “Ballkani”, Arsim Kabashi përmes  “Facebook-ut”, ka…