Sonte Dortmundi dhe Reali kërkojnë trofeun e Ligës së Kampionëve

01 qershor 2024 | 07:43

Borussia Dortmundi dhe Real Madridi sonte nga ora 21:00 përballen në “Wembley” në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve për edicionin 2023/2024.

Dormundi me fitore do t’i jepte fund pritjes 27-vjeçare për këtë trofe, ndërsa do të ishte i dyti në histori të klubit gjerman, kurse “Los Blancos” përpiqet ta gdhendë në Ligën e Kampionëve për herë të 15-të.

Djemtë e drejtuar nga Edin Terziç triumfuan kundër Paris Saint-Germainiy për ta rezervuar biletën e finales, kurse djelmoshat e Carlo Ancelotti ua mohuan kundërshtarëve të ardhshëm një finale gjermane ndaj Bayern Munchenit, të cilën e eliminuan falë një rikthimi senzacional.

Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terziç, i intervistuar nga faqja e UEFA-s, ka thënë se kundërshtari është i fortë, por është optimist se skuadra e tij mund ta fitojë ndeshjen. “Ne kemi luajtur shumë mirë deri më tani në Ligën e Kampionëve, duke e fituar me meritë të drejtën për të shkuar në këtë finale. Tashmë ne përballemi me një ekip shumë të fortë që e ka pasur shpesh këtë përvojë, por ne e dimë se një në 10 ndeshje ndaj Real Madridit mund ta fitojmë. Shpresoj që kjo të jetë ajo e duhura”, ka thënë Terziç.

“Ndaj tyre mund të pësojmë shumë humbje, por në një ndeshje të vetme, në 90 minuta ose në 120 minuta dhe penallti, ne jemi të aftë të mposhtim çdo kundërshtar në botë. Natyrisht që më duhet të fitoj ende përvojë në disa detaje. Por, gjithashtu, përpiqem t’i shfrytëzoj më shpesh njerëzit që e kanë pasur këtë përvojë, përpara se të bëj gabime që mund të ishin shmangur në fazën përgatitore”, ka shtuar Terziç.

Në pikëpyetje për Borussia Dortmundin në këtë ndeshje është Sebastien Haller, kurse Realit i mungojnë David Alaba, Aurelien Tchouameni, kurse Andriy Lunin është i sëmurë me grip, por lajm i mirë është se Thibaut Courtois është i gatshëm për këtë finale të madhe.

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, para finales ka thënë se skuadra e tij është gati për të luajtur në lojën më të bukur të vitit. Ai ka thënë se Dortmundi është një kundërshtar i vështirë dhe se me meritë është në finale.

“Jemi vërtet të lumtur që do të luajmë edhe një finale. Do të vijë nervozizmi, por synojmë të vijë sa më vonë të jetë e mundur. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, këtë ndeshje të madhe, më të mirën e vitit dhe më të bukurën për t’u përjetuar. Kemi shumë besim. Nuk mendojmë për atë se a jemi favoritë. Duhet të luajmë ndaj ekipit që arriti sukses të madh duke eliminuar PSG-në, Atletico Madridin. Lojtarët e ekipit rival kanë shfaqur përkushtim”, ka thënë Ancelotti.

Formacionet e mundshme:

Borussia Dortmund: Kobel; Ryerson, Hummels, Schlotterbeck, Maatsen; Sabitzer, Can; Sancho, Brandt, Adeyemi; Fullkrug.

Real Madrid: Courtois; Carvajal, Rudiger, Nacho, Mendy; Valverde, Camavinga, Kroos; Bellingham; Rodrygo, Vinicius Junior.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo e ka përjetuar rëndë humbjen në finalen e…