Sonte Drita e pret Feyenoordin
Drita do të kërkojë ta nxjerrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues në Europa Conference League, kur të përballet me klubin holandez Feyenoord në Prishtinë.
Drita do ta presë klubin holandez përballë mijëra shikuesve në Stadiumin Fadil Vokrri sot në orën 21:00 në kryeqytet.
Takimi kthyes i rundit të dytë kualifikues zhvillohet pas një jave në Holandë dhe fituesi kalon në rrethin e tretë kualifikues ku e pret klubi zviceran Luzren.
Në një konferencë për media para ndeshjes, trajneri i klubit gjilanas Ardian Nuhiu shprehu besimin se skuadra e tij mund të nxjerrë rezultat pozitiv, pasi siç, tha përparësia e Dritës është se ajo di gjithçka për Feyenoordin.
“Do të jetë një eksperiencë e mirë, si për mua si trajner e po ashtu edhe për ekipin tim. Më vjen mirë që këta futbollistë arritën të sjellin këtu një ekip të madh siç është Feyenoordi. Ne kemi përparësi sepse ne dimë gjithçka për Feyenoordit”, tha Nuhiu para ndeshjes.
Ai shtoi: “Kemi analizuar shumë ndeshje të tyre, si në aspektin ekipor e po ashtu edhe individual për çdo futbollistë. E dimë që bëhet fjalë për një skuadër shumë të fortë”.
Drita u siguro një vend në kualifikime për Europa Conference League – garën e kategorisë së tretë futbollit evropian – si nënkampione e Kosovës.
Në rundin e parë kualifikues, kaltërebardhit e mposhtën klubin malazez Deqiç.