Sonte dy ndeshje të rëndësishme në Superligën e hendbollit
Sonte (e enjte) luhen dy ndeshje shumë të rëndësishme të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, prej orës 20:00 takohen Rahoveci e Trepça, dy skuadrat që synojnë trofe në këtë edicion të garave. Kjo ndeshje është e mbetur dhe i takon xhiros së gjashtë të kampionatit.
Rahoveci është lider i tabelës me 18 pikë. Ka fituar nëntë ndeshjet e deritashme. Ndërkohë Trepça është e treta me 14 pikë. Ka shtatë fitore e dy humbje. Pritet numër i konsiderueshëm i shikuesve e po ashtu ndeshje e fortë dhe interesante.
Prej orës 18:00 në kryeqytet është ndeshja Prishtina – Besa Famgas. Edhe kjo ndeshje i takon xhiros së gjashtë. Kampionia aktuale, Besa, vlerësohet favorite. Skuadra pejane është e dyta me 14 pikë. Ka shtatë fitore e një humbje. Prishtina është e pesta me 10 pikë. Ka pesë fitore e katër humbje. Prishtina natyrisht synon ta befasojë Besa Famgasin.
Të enjten prej orës 18:00 është edhe ndeshja Ulpiana – Ferizaj, që i takon xhiros së dytë të Superligës së hendbollisteve. Kjo ndeshje luhet në Ferizaj.