Sonte fillon Liga e Kampionëve
Gara më e fortë në futboll, Liga e Kampionëve, fillon sonte (e martë) me shumë ndeshje interesante.
Edhe në edicionin e ri 2019/2020 ndeshjet do të luhen nga ora 18:55 dhe nga ora 21:00. Dy ndeshjet e para për këtë edicion janë Inter-Slavia Prague dhe Lyon-Zenit, kurse derbi është në mes të kampionit në fuqi, Liverpoolit dhe skuadrës së Napolit. Për këtë ndeshje ka folur edhe Lorenzo Insigne, i cili është optimist që sërish mund t’i mposhtin anglezët e drejtuar nga Jurgen Klopp.
“Vitin e kaluar në fituam kundër Liverpoolit në stadiumin tonë. Unë kërkoj nga tifozët tanë që të na mbështesin ashtu si një vit më parë. I gjithë ekipi shpreson të bëjë një performancë të mirë. Kloppi gjithmonë më ka sjellë fat. Shpresoj se do të ndodhë përsëri. Ëndrra ime? Të mbërrij në finale të Ligës së Kampionëve dhe ta fitoj atë”, ka thënë sulmuesi italian.
Një tjetër ndeshje derbi do të zhvillohet edhe në Gjermani, ku Borussia Dortmundi e pret skuadrën e Barcelonës, e cila, si zakonisht, është ndër favoritet kryesore për ta fituar trofeun më të çmuar në futboll. Ndeshje interesante zhvillohen edhe në Grupin H, ku Chelsea e pret Valencian, kurse befasia e edicionit të kaluar, Ajax, do të përballet me Lillen.
Grupi E
21:00 Napoli – Liverpool
21:00 Salzburg – Genk
Grupi F
18:55 Inter – Slavia Prague
21:00 Borussia D. – Barcelona
Grupi G
18:55 Lyon – Zenit
21:00 Benfica – Leipzig
Grupi H
21:00 Ajax – Lille
21:00 Chelsea – Valencia
/Epoka e re/