Sonte fillon ‘play-off’-it, në kryeqytet pritet ndeshje interesante
Në kampionatin e Kosovës në hendboll (meshkujt) të enjten fillon faza e tretë e garave. Pas edicionit të rregullt në Superligë dhe Superligës A, koha është për “play-off”, përkatësisht për fazën vendimtare në luftë për titull të kampionit.
Prej orës 20:00 luhet gjysmëfinalja e parë e “play-off”-it në mes të Besa Famgas dhe Rahovecit. Ndonëse Besa është vendase, ndeshja luhet në Rahovec. Besa Famgas i ka fituar të gjitha 28 ndeshjet e këtij edicioni dhe llogaritet favorite e madhe. Por Rahoveci do të jap më të mirën në tentim për të befasuar pejanët.
Skuadra që shënon dy fitore, apo një fitore e një barazim, zë vend në finale të “play-off”-it.
Besa starton në “play-off” prej pozitës së parë. Rahoveci prej të katërtës.
Gjysmëfinalja tjetër në mes të Prishtinës dhe Trepçës luhet nga ora 20:30 në kryeqytet.
Prishtina është e dyta, ndërsa Trepça e treta. Marrë për bazë përballjet e këtij edicioni, pritet lojë e fortë dhe dramatike deri në fund.
Pak ditë më parë dy skuadrat me traditë u takuan në Mitrovicë. Ndonëse vendasit udhëhoqën shumicën e kohës, Prishtina fitoi me rezultat 29:28. Edhe ndeshjen e parë në Mitrovicë, Prishtina e kishte fituar për një gol, 24:23. Në kryeqytet, Trepça mori barazim 34:34 në ndeshjen e parë. Ndërsa ndeshjen e dytë Prishtina e fitoi me rezultat 31:24.
Prishtina llogarit në fitoren e parë të plejofit, por edhe “xehetarët” udhëtojnë për sukses.